Politike

Yuri Kim takon Ruçin, në fokus Gjykata Kushtetuese

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka iniciuar një sërë takimesh me qëllim plotësimin dhe vënien në funksion të Gjykatës Kushtetuese brenda një kohe sa më të shkurtër, mundësisht brenda fundit të vitit, në mënyrë që Gjykata të jetë funksionale përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Të hënën, ajo ka takuar kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

“Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi, të reformës zgjedhore dhe përshpejtimin e plotësimit dhe bërjes funksionale sa më shpejt të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, vuri në dukje se Kuvendi është maksimalisht i angazhuar për  suksesin e reformës në drejtësi, të reformës zgjedhore dhe realizimin e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë, si kushte thelbësore për të nxitur e mbështetur progresin e Shqipërisë, konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e vendit”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit.

Më pas, ambasadorja amerikane pritet të takojë Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Ky i fundit do të zhvillojë një takim me Ruçin të martën për të njëjtën çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë