Politike

Yuri Kim: Shqipëria dikur ishte Koreja e Veriut të Europës, sot drejt BE-së

Ministria e Jashtme në Tiranë organizoi ditën e martë një pritje për të festuar rivendosjen e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, me pjesëmarrjen e ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim dhe Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

E veshur me ngjyrën e flamurit kombëtar, Ambasadorja ka vlerësuar bashkëpunimet dy palëshe pas çlirimit të Shqipërisë nga regjimi diktatorial.

Kim deklaroi se Shqipëria dikur njihej si Koreja e Veriut të Europës, ndërkohë që sot është një aleate e SHBA që qëndron krah për krah saj në rrugën drejt Bashkimit Europian me angazhimin e përbashkët për ruajtjen e sigurisë.

Ambasadorja shtoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të lehtësojë shumë gjëra, ndërsa vlerësoi rolin e Shqipërisë në drejtimin e OSBE përgjatë vitit të vështirë të pandemisë së COVID-19.

“Sot shënohet një moment shumë i rëndësishëm. Për 50 vite kemi qenë të ndarë dhe kemi ruajtur lidhjet me anë të zemrave. Më 15 Mars 91 e bëmë zyrtare. Jam e nderuar të jem ambasadorja e SHBA në Shqipëri. Reformat që ju keni bërë nga dita në ditë. Mendoj se nëse do i krahasonim këto 30 vite duhet të pranojmë këtë ndryshim pozitiv që ka ndodhur. Ky vend njihej si Koreja e Veriut të Europës, sot jeni shndërruar në aleate të SHBA.

30 vite më parë Shqipëria u çlirua. Gjatë viteve ne kemi punuar së bashku për një gamë të shumë ndryshimeve. Është një kënaqësi të shohësh si e kemi mbështetur njëri tjetrin në kohë shumë të vështira. Jemi të kënaqur që amerikanët kanë ardhur në Shqipëri jo vetëm si diplomatë. SHBA i ka ofruar Shqipërisë 1.1 mld dollarë ndihma.

Presim me kënaqësi të qëndrojmë krah për krah në 30 vitet e ardhshme dhe më tej. Udhëheqja e OSBE në  vitin 2020 është dëshmi e kontributeve që Shqipëria mund të japë. Ka qenë nder për mua të drejtoj ekipin e ambasadës së SHBA në 14 muajt e fundit. Nuk kam dyshim që së bashku Shqipëria dhe SHBA do vazhdojnë të përparojnë drejt vizionit të përbashkët. Pres të shoh atë që mund të arrijmë së bashku në 30 vitet e ardhshme”, tha Kim.

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka deklaruar nga ana tjetër se marrëdhëniet mes dy vendeve janë më shumë se historike.

Ajo tha se SHBA ka qenë shtyllë e rëndësishme në mbështetjen e reformave sidomos të asaj në drejtësi.

"Kim e di historinë time. Stërgjyshi im jetoi në Amerikë për 30 vjet por u rikthye për të kontribuar për vendin e tij. Unë shkova studiova atje për tu kthyer më pas në Shqipëri si im gjysh për të kontribuar për vendin tim. Kam qenë 10 vjeç kur Shqipërinë e vizitoi James Backer. Babai më kishte marrë per ta parë.

Për mua për kush  e di për sa familje si e imja ishte një moment bashkimi. Marrëdhënia mes vendeve tona është kaq e fortë sepse ngrihet mbi themelet e lidhjeve njerëzore që jetojnë mes nesh. Është më shumë se aq një marrëdhënie mes dy popujsh që i bashkojnë vlerat dhe fijet e panumërta familjare dhe njerëzore.

Faktet e kanë treguar sa jetike ka qenë marrëdhënia me SHBA dhe Shqipërisë. Si do kishte qenë historia e  tranzicionit shqiptar pa mbështetjen e SHBA", tha ministrja Xhaçka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë