Muzike

Ylli i Rolling Stones do të dhurojë pasurinë marramendëse për bamirësi

Mick Jagger, ylli i Rolling Stones ka deklaruar se grupi i rrokut mund të dhurojë 500 milionë dollarë për bamirësi.

Mick Jagger do ta japë për bamirësi gjithë pasurinë e tij prej 500 milionë dollarësh, kur të ndahet nga kjo botë. Asnjë cent nga kjo pasuri nuk do të marrin 8 fëmijët e tij.

Shuma e parave do të mblidhet nëse grupi shet të drejtat për katalogun e këngëve të tyre të vitit 1971.

Planin e bëri të ditur vetë rokeri i famshëm britanik në një intervistë për Wall Street Journal, ku tha se fëmijët e tij nuk kanë nevojë për paratë e tij.

“Fëmijëve nuk u duhen 500 milionë dollarë për të jetuar mirë”, tha ai.

80-vjeçari shprehet se trashëgimtarët e tij i ka mësuar që t’i zgjidhin vetë problemet financiare, pasi gjatë karrierës së tij të gjatë në fushën e muzikës është përballur shpesh herë me vështirësi serioze me të drejtat e autorit për këngët e tij.

Në vend të kësaj, ai preferon që të ardhurat e katalogut të shkojnë për bamirësi për të “bërë diçka të mirë në botë”.

“Do të ishte mirë që paratë e pasurisë të bënin mirësi në këtë botë”, tha Jagger.

8 fëmijët i ka nga martesat dhe lidhjet e dashurisë me 5 gra të ndryshme. 80-vjeçari konsiderohet si një prej yjeve të muzikës me një prej karrierave më të gjata që vazhdon të jetë aktive prej më shumë se 6 dekadash me grupin e famshëm të Rock & Roll “Rolling Stones”.

Jagger nuk është i vetmi që ndan këtë mendim për pasurinë e tij, pasi të famshëm si Gordon Ramsay, Bill Gates, Sting dhe Elton John kanë treguar gjithashtu se nuk do t’u lënë pasuri të tepërt fëmijëve të tyre.

Ndërkohë grupi po përgatitet të nxjerrë albumin e tyre të parë me material origjinal në 18 vjet gjatë muajit tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë