Futboll

Xherdan Shaqiri kthehet aty ku e nisi, por si një yll

Shorti i Ligës së Kampionëve për fazën e 1/16 ka rezervuar përballje shumë interesante dhe të forta. Një nga më të fortat dhe që nga mediet botërore po cilësohet si një finale e parakohshme është ajo mes Liverpulit dhe Bajernit të Mynihut. Kjo përballje mes dy ekipeve që janë cilësuar si favorite për të ngritur trofeun, do të jetë shumë speciale edhe për sulmuesin me origjinë shqiptare Xherdan Shaqiri.

Sulmuesi do të rikthehet si kundërshtar në stadiumin “Allianz Arena”, aty ku ai u bë i njohur ndërkombëtarisht dhe ku fitoi trofetë e parë të rëndësishëm. Te Bajerni i Mynihut Shaqiri do të kalonte pasi shkëlqeu në Zvicër të Bazeli dhe u bë i njohur për forcën e tij dhe shpërthimet në krah. Por në Bavari nuk e mori besimin e duhur, madje as në Milano te Inter dhe do duhej të kalonin disa vite që ai ta tregonte veten ashtu siç duhej.

Tashmë ai është ylli i ri i Liverpulit që në shumë ndeshje i ka dhënë pikë të rëndësishme këtij ekipi. Më e fundit ishte fitorja me rivalët e Mançester Junajdit dhe një formë të tillë tifozët e Liverpulit e presin edhe në përballjet e Champions përballë ish-ekipit të tij Bajernit. Shaqiri e ka treguar disa herë deri më tani që nëse i jepet besim ai shkëlqen, tashmë mbetet për t’u parë nëse do të arrijë të “hakmerret” ndaj gjermanëve që nuk besuan tek ai kur ishte i ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë