Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka shprehet se banorët e prekur nga tërmeti i 21 shtatorit do të hyjnë së shpejti në banesat e dëmtuara. Ky ka qenë premtimi i ministres, e cila ka ndjekur nga afër punimet e rindërtimit të banesave për disa nga këto objekte në Manëz dhe zonën e ish Kënetës në Durrës.
Janë 233 familje të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit në Durrës, Shijak, Krujë, Kavajë apo Rrogozhinë “Angazhimi ynë është që asnjë qytetar të mos mbetet pa shtëpi dhe që asnjë shtëpi të mos mbetet grumbull rrënojash. 2020 është viti i rindërtimit”, deklaroi ministrja Xhaçka.
Projekti i rindërtimit të 233 banesave po realizohet nga Fondi Rezervë i buxhetit të shtetit në masën 470 milion lekë dhe nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, programi “Emergjencat Civile” në vlerën 90 milion lekë. I gjithë procesi po ndiqet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
“Jemi të angazhuar të gjithë: qeveria, pushteti vendor edhe qytetarët, që procesi i rindërtimit të përfundojë në kohë, pavarësisht problematikave që kanë lidhje me procedurat, por jo vetë me to. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe me të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit. Ka një angazhim maksimal, pikësëpari të kryeministrit dhe të Komitetit të Rindërtimit që askush të mos ndjehet vetëm dhe që ky proces sa i rëndësishëm, aq edhe i vështirë të përfundojë në kohën e duhur, u shpreh ministrja Xhaçka, gjatë bisedës me familjarë të prekur nga tërmeti.
Punimet për shtëpitë e reja, bazuar në projektet e hartuara nga Instituti i Ndërtimit në bashkëpunim me pushtetin vendor, kanë nisur javë më parë. Pavarësisht vështirësive të krijuara për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit apo motit të keq gjatë muajit dhjetor, procesi i rindërtimit po vijon për t'u dhënë shumë shpejt 233 familjeve shqiptare një strehë të re.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.