Teknologji dhe Inovacion

Windows 10 do të dalë në pension, Microsoft pranon dështimin e sistemit

Windows 10 do të dalë në pension 10 vite pas prezantimit. Microsoft njoftoi se në 2025 nuk do të ofrojë më përditësime sigurie dhe funksionimi për këtë sistem operimi, duke rrëzuar premtimin e 2015-ës, kur ky sistem u prezantua.

Në atë kohë, Microsoft tha se synonte që Windows 10 të ishte versioni përfundimtar i sistemeve të operimit që ofronte për klientët. Por, më 14 tetor 2025 do të ndalojë çdo përditësim për sigurinë si për versionet Home, ashtu edhe për ato Pro.

Tani, Microsoft premton se sistemi pasaardhës i Windows 10 është konceptuar si hapi më i madh në tregun e sistemeve të operimit në dekadën e fundit, me ndryshime madhore si në paraqitje, ashtu edhe në funksionim.

Sistemi i ri do të prezantohet më 24 qershor përmes një ceremonie që do të mbahet online. Shumë presin që ky sistem të mos mbajë më numra, por të ketë një emër, si një përpjekje e radhës e Microsoft për të joshur konsumatorët e zhgënjyer nga problematikat me Windows 10 dhe Windows 7.

Megjithatë, Windows 10 bëhet sistemi i dytë më jetëgjatë i Microsoft, pas Windows XP. Paraardhësi i Windows 10, Windows 7 doli në pension në vitin 2020, megjithëse aktualisht Microsoft ofron përditësime për bizneset që paguajnë për versionet Professional dhe Enterprise.

Microsoft prezantoi Windows 10 në korrik të 2015-ës duke e quajtur atë “Windows për të shërbyer”, që do të thotë se ishte konceptuar si sistem që do të përditësohej vazhdimisht dhe pa pagesë çdo vit, duke hequr dorë nga strategjia e deriatëhershme e kompanisë duke hedhur në treg çdo vit një version të ri të sistemeve të saj.

Jerry Nixon, inxhinier programues i Microsoft e përshkroi atë si “versioni përfundimtar i Windows-it”, ndërsa drejtori ekzekutiv i kompanisë, Satya Nadella tha se ishte shumë i lumtur nga risitë që sillte ky sistem, veçanërisht Cortana si konkurrente e Siri-t të Apple.

Por, Cortana nuk përmbushi asnjëherë pritshmëritë e kompanisë dhe në prill të këtij viti u hoq fare nga sistemi i operimit për kompjutera dhe laptopë duke u zhvendosur vetëm në versionin mobile.

Pavarësisht prezantimit të bujshëm, një muaj pasi u prezantua dhe hodh në treg, Windows 10 shfaqi problemet e para. Kamerat nuk funksiononin dhe Microsoft u detyrua që të lëshojë një përditësim për të korrigjuar gabimin në kodimin e pjesës së videove në siste.

Qindra përdorues u ankuan se humbën dosje dhe mesazhe të tyre në postën elektronike, që nuk sinkronizoheshin më dhe pati raportime me probleme lidhjeje me Wi-fi dhe printimet.

Në ditëlindjen e parë të tij, Microsoft u akuzua nga autoritetet franceze se grumbullonte një sasi të madhe të dhënat personale të përdoruesve të Windows 10.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë