Lojëra me Dore

Wimbledon/ Tsitsipas-Kyrgios, përplasje e egër edhe përtej rrjetës

Ndeshja mes grekut dhe australianit shkoi përtej raundit të tretë të turneut anglez

Shkëndijat e “poshtë rrjetës” mes Sonego dhe Nadal nuk ishin asgjë në krahasim me atë që ndodhi në ndeshjen e raundit të tretë të Wimbledon midis Kyrgios dhe Tsitsipas, ndeshje e fituar nga australiani në katër sete. Mes goditjeve të ulëta, polemikave, topave të hedhura me zemërim në tribunë dhe kërkesës për skualifikim, ndeshja nuk la vend për mërzi dhe vazhdoi edhe pas përfundimit me deklaratat në pasndeshje. Në fushë pati një shtrëngim duarsh të ftohtë mes të dyve, por beteja vazhdoi para mikrofonave.

Tsitsipas: Kyrgios është një bullizues, ka personalitet të egër

Stefanos Tsitsipas i vuajti aq shumë provokimet e Kyrgios, sa përfundoi duke hedhur topin me forcë në tribuna, fatmirësisht pa pasoja të tjera përveç kërkesës flagrante për skualifikim nga kundërshtari: “Nuk e di se ç’më shkoi ndër mend, gabova. Ishte një aksident që me siguri nuk do të përsëritet, por për fat nuk godita askënd”. Nevrikosja e grekut ishte e gjitha për qëndrimin e Kyrgios.
“Loja e tij është një akt i pandërprerë bullizmi ndaj kundërshtarit. Ai ndoshta ka qenë bullizues edhe në shkollë. Nuk më pëlqejnë ngacmuesit, - komentoi Tsitsipas - Kyrgios ka tipare të liga personaliteti dhe të luash tenis kundër tij është e pamundur sepse e gjen veten në një cirk. Ai gjithmonë flet, ankohet për çdo gjë… duhet të ndalet”.

Post-provokimi në Instagram

Tsitsipas nuk u kufizua vetëm në konferencën për shtyp, por një ditë pas humbjes ai postoi një mesazh polemik në Instagram drejtuar kundërshtarit. “Jepini një njeriu një maskë dhe ai do të bëhet vetvetja e tij e vërtetë” shkruhet në frazën e postimit të Kyrgios.

Përgjigja e Kyrgios: Ai ka probleme serioze, ndaj askush nuk e do

Nuk vonoi përgjigja e australianit Nick Kyrgios: “Tsitsipas ka probleme serioze. Në dhomat e zhveshjes jam i respektuar dhe kam shumë miq të mirë, por askush nuk e pëlqen atë. Akuzat ndaj meje në konferencë se e kam ngacmuar, e bëjnë një person që nuk e ka stofin e duhur. Ai është i dobët. Ai më hodhi topat, ai hodhi topin në tribunë. Unë u grinda me arbitrin, nuk bëra asgjë mosrespektuese ndaj tij”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë