Ngjarje

“Vuelta e Spanjës”, zbulohet në transmetim direkt marijuana në tarracë

Ishte një vend i sigurt, larg syve të njerëzve, por duket se kultivuesi i marijuanës nuk i kishte bërë mirë llogaritë. Ai nuk kishte llogaritur “Vueltën”, garën e çiklizmit në Spanjë, ose më saktë helikopterin që shoqëron këtë aktivitet. Telekamera e këtij helikopteri që transmeton “live” gjithçka nga lart, në sprintin final të etapës së tetë, në Igualada, ka filmuar edhe një plantacion të vogël marijuane. Një provë e pakontestueshme, që ka sjellë reagimin e policisë për sekuestrimin e lëndës narkotike.

Kultivuesi i 40 rrënjëve të marijuanës kishte zgjedhur tarracën si një vend të sigurt, pasi nga lart mund ta shihnin vetëm zogjtë, por plani i tij është zbuluar nga “Vuelta”. Ndërtesa ku ishte mbjellë marijuana ndodhet në qendër të Igualada. Policisë i është bërë gjithçka e thjeshtë nga telekamera e helikopterit, i cili, teksa shoqëronte çiklistët, ka zbuluar edhe "kopshtin sekret”. Telekamera e helikopterit transmeton gjithë kohën direkt imazhet e garës së “Vuelta 2019”. Përveç rrugës ku kalojnë çiklistët që telekamera inkuadron gjithë kohën, ndonjëherë filmon edhe ndonjë gjë që “nuk duhet”.

Ai kopsht jeshil në tarracë u ka sjellë jo pak probleme banorëve të tij. Sipas ligjit katalanas, kultivimi i marijuanës është i lejueshëm me kushtin që të bëhet në ambiente private dhe në sasi të vogël për përdorim personal. Normalisht, 40 rrënjë e kalojnë “sasinë modeste”, ndaj dhe autoritetet përkatëse kanë ndërhyrë për sekuestrimin e marijuanës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë