Ngjarje

Vuçiç: Serbia merr vaksinën kundër Covid-19 në fund të vitit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi sot se Beogradi do të marrë vaksinën kundër koronavirusit të ri deri në fund të vitit.

Kreu serb, tha se vendi i tij po zhvillon bisedime me një vend, që sipas tij ka përfunduar vaksinën kundër sëmundjes që e shkakton koronavirusi dhe që “ua jep atë popullatave të rrezikuara”.

“Shpresojmë se para fundit të vitit do të mund ta kemi atë vaksinë. Do të ishte shpëtim për Serbinë dhe ekonominë tonë”, tha Vuçiç por nuk tha se për cilin vend bëhet fjalë.

"Së shpejti do ta nënshkruajmë protokollin për bashkëpunim, por nuk mund t'ju them se cili vend është", tha Vuçic, duke iu përgjigjur gazetarëve në Beograd.

“Keni për të parë që Serbia të jetë ndër 30 vendet e para që do ta marrë atë vaksinë", shtoi ai.

Dhjetëra vaksina kundër Covid-19 janë në faza të ndryshme të testimit në gjithë botën.

Firma bioteknike amerikane Moderna tha të martën se vaksina e saj eksperimentale kundër Covid-19, çoi në fitimin e imunit të 45 vullnetarët e shëndetshëm, që morën pjesë në një studim të fazës së hershme.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara e mbështet vaksinën e Modernas, e cila së shpejti do të hyjë në fazën e fundit të testimit klinik. Moderna tha se synon të regjistrojë rreth 30,000 njerëz për testimin e fazës së tretë që nis më 27 korrik.

Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të SHBA-së për Alergji dhe Sëmundje Infektive, ka shprehur optimizëm se së paku një vaksinë do të mund të zhvillohet deri në fund të këtij viti apo në fillim të vitit 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë