Ka ndodhur

Vrasja në Elbasan, ende e pakonfirmuar dinamika e krimit dhe motivet

Një i vrarë dhe katër të plagosur. Ky është bilanci i ngjarjes tragjike në lagjen “5 maji” që tronditi të mërkurën Elbasanin.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, viktima është Pjerin Xhuvani. Të plagosur janë efektivja e forcave “Shqiponja” Xhensila Shota, dhe shtetasit me iniciale: E.P., P.V. dhe E.B., njëri prej tyre është dhëndri i viktimës.

Policia ka ndaluar disa persona të dyshuar.Mes tyre edhe autori i vrasjes. Policia thotë se ai është Arbër Papleka, ish-punonjës police.

Foto e publikuar nga PD, sipas të cilës, këta persona, mes tyre edhe Xhuvani u përplasën me mbështetësit demokratë në 14 mars

Kush është viktima?

Emri i Xhuvanit u lakua edhe gjatë përplasjes në Elbasan Ditën e Verës, mes mbështetësve të PS dhe Partisë Demokratike. Përmes një videoje, ai u akuzua nga Partia Demokratike si organizator i përplasjes.

PD e akuzonte si të përfshirë në grupin e personave të kapur në laboratorin e drogës në Xibrakë disa vite më parë.

Pas atentatit, në zonë ishin edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, ish-deputeti Luçiano Boçi dhe Sekretari i Përgjithëm i PD, Gazmend Bardhi. Ky i fundit, është shoqëruar në polici pas vrasjes së Xhuvanit.. Deri tani, policia nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar për ngjarjen.

Efektivja e policisë që mbeti e plagosur në këmbë pas përpasjes me armë në Elbasan

Efektivja e policisë që mbeti e plagosur në këmbë pas përpasjes me armë në Elbasan

Si ka ndodhur ngjarja?

Nga informacionet paraprake por ende të pa konfirmuar zyrtarisht , dyshohet se Pjerin Xhuvani ka qenë së bashku me disa anëtarë të grup seksioneve të PS-së që po zhvillonin një takim elektoral, kur dy makina janë afruar dhe kanë nisur të debatojnë dhe të përplasen fizikisht me njëri tjetrin.

Policia duke mbledhur prova në vendin e ngjarjes

Xhuvani dhe dhëndri i tij kanë njoftuar sallën operative dhe menjëherë kanë shkuar efektivë të policisë dhe nëndrejtori i policisë.

Edhe pse kanë pasur prani të policisë, autori i dyshuar, Arbër Papleka, ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar.  Nga të shtënat ka mbetur e plagosur dhe efektivja e policisë, Xhensila Sota.

Autori, një ish-efektiv i RENEA-s

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi (në mes), pranë vendit të ngjarjes

Burime shprehen se autori i ngjarjes, Arbër Papleka, është larguar me një makinë të një qytetari tjetër, të cilin e ka vjedhur dhe e ka detyruar të zbresë nga mjeti dhe është larguar në drejtim të paditur.

Papleka ka qenë një efektiv i forcave speciale RENEA dhe kishte dy vjet që ishte larguar nga kjo njësi e policisë. Ai është me origjinë nga Tropoja dhe kohët e fundit ishte angazhuar me fushatën e Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Dëshmia në polici e Paplekës

Autori i dyshuar i vrasjes së Pjerin Xhuvanit (në rreth), Arbër Papleka

Autori i dyshuar i vrasjes së Pjerin Xhuvanit, pas dorëzimit në polici, ka pohuar se ka qëlluar për vetëmbrojtje dhe nuk kishte qëllim të ekzekutonte aktivistin e PS.

Arbër Papleka ka thënë se personat që po lëviznin me makinën me para dhe karta identiteti, kanë qëlluar me armë ndaj tyre, pasi i kanë ndaluar për t’i denoncuar në polici.

Papleka, nuk ka pranuar të ketë qëlluar me dashje në drejtim të Xhuvanit dhe ka thënë se gjithçka ka filluar pas një denoncimi për shpërndarje parash.

“Ne shkuam për t’i ndaluar se morëm një denoncim që një makinë shpërndante para. Shkuam për t’i ndaluar, por ata qëlluan me armë zjarri ndaj nesh”, - mësohet të ketë thënë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë