Ngjarje

Vritet një shqiptar në Piza të Italisë, dyshohet për hakmarrje. Tetë vite më parë kishte kryer një vrasje

Gazeta Si - Një 36-vjeçar shqiptar është vrarë mbrëmjen e të enjtes në Piza të Italisë, në një përplasje mes bashkëkombësish raportojnë mediat lokale.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30, në Sasso Pisano, komuna e Castelnuovo Vai di Cecina.

Mediat italiane shkruajnë se viktima 8 vite më parë ka qenë autor i një vrasjeje në Shqipëri, ku ka kryer dhe disa vite burg.

Më pas është zhvendosur në Toskana të Italisë. Ai banonte në provincën e Sienës dhe ka precedentë penalë në fushën e prostitucionit.

Sipas një rindërtimi fillestar të ngjarjes, shqiptari ndodhej në një makinë që udhëtonte në rrugë me shpejtësi shumë të ulët, kur dy burra iu afruan automjetit. Në atë moment vrasësit kanë qëlluar disa herë ndaj shënjestrës së tyre.

Drejtuesi i mjetit, megjithatë, arriti të largohej, duke gjetur strehim në një restorant lokal.

Prej aty do të jepej alarmi. Menjëherë pas kësaj, një automjet i 118 ka ndërhyrë në vend, por mjekët me gjithë përpjekjet nuk kanë mundur ta shpëtojnë.

Prokuroria hapi një hetim për vrasje me dashje dhe urdhëroi që trupi të transferohet në spitalin mjekoligjor të Pizës, ku në orët në vijim do të kryhet autopsia. Në sekuestrim ka përfunduar edhe makina me të cilën po udhëtonte viktima.

Në këto orë karabinierët po kërkojnë pista edhe përmes kamerave të vëzhgimit që ndodhen në zonë me shpresën për të gjetur ndonjë gjurmë që mund t’i çojë drejt një piste.

Sipas të dhënave të para, ende të pakonfirmuara, autorët e kësaj ngjarjeje dyshohet të jenë dy.

Ata u larguan me një automjet me ngjyrë të errët dhe autoritetet aktualisht janë vënë në ndjekje të tyre.

Sa i përket shkaqeve, edhe ato janë momentalisht të paqarta, por hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë e larjes së hesapeve apo hakmarrjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë