Ngjarje

Vritet me kaçavidë 26-vjeçari në Dibër. Konflikti nisi në lokal, më pas autori i arrestuar e godet para banesës

Gazeta Si - Një konflikt i nisur në një lokal dhe i mbyllur në rrugë para një banese, i mori jetën 26-vjeçarit Dritan Manjani në Bulqizë.

Sipas policisë, ka qenë Dorjan Dema, ai i cili e ka vrarë me kaçavidë të riun, duke i marrë jetën mbrëmjen e të hënës në fshatin Homesh të qarkut Dibër.

Banorët e fshatit, kanë treguar se konflikti mes të rinjve ka nisur në një lokal dhe më pas autori i dyshuar, Dorjan Dema i ka shkuar 26-vjeçarit në banesë dhe pasi ai ka dalë, e ka goditur me mjet prerës.

Banorët tregojnë se viktima nuk ishte konfliktual, ndërsa autori i dyshuar ndodhej në lokal i shoqëruar nga katër persona të tjerë dhe po konsumonte alkool.

Dritan Manjani ndodhej i vetëm në një tavolinë tjetër duke konsumuar kafe dhe mësohet se aty brenda ka patur një zënkë mes të rinjve.

Vetëm pak minuta më vonë, pranë banesës së viktimës kanë shkuar dy makina dhe i kanë rënë borive. Në këtë moment, ka dalë nga shtëpia 26-vjeçari, i cili po konsumonte darkë me familjen. Dyshohet se ai është goditur menjëherë nga autori Dorjan Dema.

Familjarët dhe të afërmit e viktimës e kanë transportuar me urgjencë për në spital, por fatkeqësisht Manjani nuk ka arritur t’ju mbijetojë plagëve të marra.

Një banor i zonës thotë se viktima ka qenë djalë i qetë dhe nuk krijonte konflikte. Ai tregon se autori erdhi bashkë me persona të tjerë me dy makina gjatë orës 22:00 dhe e thirrën viktimën për ta vrarë para shtëpisë ku banonte.

Kur u plagos, mësohet se ai i kishte thënën nënës së tij që do bëhej më mirë, por fatkeqësisht nuk i mbijetoi dot plagëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë