Ngjarje

Vritet gazetari që denoncoi korrupsionin në futbollin afrikan

Ahmed Husein, gazetari investigativ ganez që qershorin e kaluar kishte realizuar hetimin "Numri 12", duke denoncuar korrupsionin në futbollin afrikan, është vrarë në makinën e tij. Persona të panjohur me një motorr i janë afruar makinës së tij dhe e kanë qëlluar për vdekje. Hetimi që kishte bërë së fundi gazetari Husein, kishte sjellë shkarkimin e shumë drejtuesve të federatës ganeze të futbollit, duke përfshirë edhe presidentin e saj. Janë pezulluar gjithashtu edhe 50 arbitra, pasi ishte vërtetuar se ndeshjet e futbollit manipuloheshin.

Husein, 34 vjeç, ishte pjesë e një skuadre gazetarësh të udhëhequr nga Anas Aremejau Anas, një gazetar shumë i njohur afrikan. Atij i ishin afruar miliona dollarë nga presidenti i fededaratës ganeze të futbollit, Kuesi Nuantakui. FIFA e pezulloi për tre muaj këtë fundit dhe më pas ai dha dorëheqjen.

"Një lajm i trishtë. Por nuk do të heshtim kurrë. Prehu në paqe Ahmed!" – ka shkruar Anas në Tuiter, ndërkohë që policia ganeze ka bërë me dije se viktima është goditur me plumb në gjoks dhe në qafë. "Kushdo që ka lidhje me ngjarjen, do të merret në pyetje, kemi nisur një hetim të gjerë”, - shkruhej në njoftimin e policisë vendëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë