Gazeta Si - Biznesmeni i ndërtimit Ardian Nikulaj është vrarë këtë të mërkurë me armë zjarri në lokalin e tij në pedonalen e Shëngjinit, Lezhë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 dhe raportohet se ai u ekzekutua nga të paktën një person i paidentifikuar, në një biznes në pronësi të tij në zonën e shëtitores, në hyrje të Shëngjinit.
Autori ka hyrë me skafandër motori në kokë brenda lokalit i veshur me jelek fosforeshent dhe e ka qëlluar dy herë me pistoletë dhe është larguar me motor.
Pista kryesore, gjakmarrja
Një nga pistat kryesore që po heton policia në lidhje me ekzekutimin e tij, është ajo e gjakmarrjes. Në Shëngjin, policia ka kryer kontrolle në 3 banesat e familjes Palaj në Lezhë. Anëtarët e kësaj familjeje ndodhen jashtë vendit prej disa vitesh dhe ky fakt konfirmohet nga sistemi TIMS.
Ngjarja dyshohet se lidhet me një konflikt të vjetër gjakmarrjeje të lindur në vitin 2000, ku anëtarë të familjes Palaj kanë ekzekutuar vëllain e Ardian Nikulajt.
Pas kësaj vrasjeje në Lezhë, janë ekzekutuar në një atentat dy anëtarë të familjes Palaj. Sot e kësaj dite kjo ngjarje e rëndë e ndodhur disa vite më parë është e pazbardhur dhe s’ka asnjë autor të dënuar nga drejtësia.
Politikë dhe biznes
Mësohet se Nikulaj, rreth 50 vjeç ishte kandidat për deputet nën siglën e PSD në zgjedhjet e vitit 2021. Edhe në këto zgjedhje që mbahen më 14 maj, ai ishte kandidat për Këshillin Bashkiak të Lezhës.
Nikulaj ka disa hotele në zonën e Shëngjinit dhe Ranës së Hedhun dhe është një emër i njohur në zonë. Ai u denoncua edhe nga sh-kryeministri, Sali Berisha, për blerjen e votave nga PSD ditën e dielë të votimeve me 25 prill 2021.
Në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ asokohe, Nikulaj ka pohuar se është dënuar me 4 muaj më 24 nëntor të vitit 2003, ndërsa 3 vite më vonë, më 1 dhjetor 2006, me gjobë.
Pyetjes se a ka qenë ndonjëherë i ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, Nikulaj i është përgjigjur me po, por nuk jep sqarime, pasi ka shkruar “nuk më kujtohen detaje”.
Precedentët
Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim. Konkretisht në vitin 2003, ai është dënuar me katër muaj burg për armëmbajtje pa leje, kurse në vitin 2006 ka marrë gjobë për kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh.
Hetuesit kanë dyshime se i përfshirë në këtë ngjarje ishte vetëm një person, ai i cili kreu edhe ekzekutimin, duke qëlluar 7 herë në drejtim të Nikulajt.
Sipas hetuesve, autori mbërriti i vetëm në lokalin e Nikulajt me motor dhe më pas u largua sërish vetëm, ku dyshohet se më pas ai është larguar drejt Shkodrës
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.