Ka ndodhur

Vrau Sajmir Jakun në vitin 2016, burg për 40-vjeçarin Dorian Keqi

Gjykata e Lezhës, ka dhënë masën e sigurisë 'arrest me burg' për 40-vjeçarin Dorian Keqi, i cili u arrestua nga policia për vrasjen e ish-drejtorit të OST në Mirditë, Saimir Jaku.

Në sallën e gjyqit, Keqi nuk ka pranuar përfshirjen ne ngjarje dhe ka folur nëpërmjet avokatit për ngjarjen duke deklaruar se ditën e ngjarjes ka qenë në Vinjoll të Kurbinit.

Pasi iu morën shenjat e gishtërinjve, rezultoi se gjurmët e tij ishin gjetur në bidonin me benzinë që u përdor nga autorët për djegien e makinës që u përdor ditën e krimit në Rrëshen.

Saimir Jaku, 33 vjeç, ish-Drejtor i Tensionit të Lartë për zonën e veriut, u vra me armë zjarri më 9 shtator 2016.

Kanë qenë dy persona të maskuar, të cilët kanë qëlluar me breshëri automatiku ndaj Jakut, i cili qëndronte në ambientin e jashtëm të një lokali në qytetin e Rrëshenit, vetëm 20 metra larg komisariatit të policisë.

Menjëherë pas krimit, autorët janë larguar nga vendngjarja me një mjet që ishte parkuar jo larg lokalit ku u krye edhe ekzekutimi.

Jaku ishte shkarkuar nga detyra vetëm një javë më parë nga ekzekutimit me armë zjarri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë