Drejtësia

Vrau policin 28-vjeçar para një viti me plumb në kokë, Prokuroria e Fierit çon për gjykim dosjen ndaj Azgan Mërnicës

Gazeta Si – Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për 23-vjeçarin Azgan Mërnica, i cili vrau me një plumb në kokë policin Novruz Cenalia, në maj të vitit të shkuar, pasi viktima i kishte tërhequr vëmendjen të ulte shpejtësinë e makinës.

I riu akuzohet të riun për veprat penale “vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit” , “armëmbajtje pa leje” dhe “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.

“Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr.689, të vitit 2024 mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, u provua se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri A.M. ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit N.C, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij”, njofton Prokuroria.

Prokuroria sqaron se konflikti mes viktimës (vetëm 28 vjeç) dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa i jepte makinës, është futur në kthesë me shpejtësi pa e kontrolluar rrugën.

Polici i ka tërhequr vëmendjen për këtë veprim, ndërsa Mërnica ka zbritur nga makina me çantën ku kishte futur armën. E ka qëlluar në fytyrë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

“Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë krime kundër jetës dhe autoritetit të shtetit”, përfundon Prokuroria.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit. Polici Cenalia kishte 3 vjet që mbante atë detyrë dhe ishte pjesë e repartit “Shqiponja”. Autori i krimit u vetëdorëzua te forcat RENEA pas 48 orësh në arrati, pas negociatave të policisë me familjarë të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë