Drejtësia

Vrau mësuesin me grushte për parkimin, autori pretendon se ka qenë i dehur

Gazeta Si - Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Alban Menerin, i cili mori jetën fqinjit të tij Nikolin Staka, pasi e goditi me grushte gjatë një konflikti për vendin e parkimit mes autorit dhe një gruaje. 

Përpara togave të zeza 51-vjeçari nuk e ka mohuar konfliktin, por është shprehur se ai ka qenë në gjendje të dehur.

Por ky pretendim i tij është hedhur poshtë nga akuza, pasi sipas prokurorisë nuk ka rezultuar se ai ka qenë në një gjendje të tillë kur është konfliktuar me viktimën.

Ngjarja ndodhi pasditen e 30 korrikut në rrugën “Sulejman Pitarka” në kryeqytet, ku autori fillimisht po debatonte me një parukiere.

Shkak i debatit u bë një vend parkimi që Meneri pretendonte se e zotëronte dhe se ishte pronë e tij.

Në këto momente ka dalë në dritare 56-vjeçari, Nikolin Staka me profesion mësues.

Në përpjekje për të shuar konfliktin, viktima i ka kërkuar 51-vjeçarit të mos debatonte me grua për çështjen e parkimit.

Por Meneri i ka kërkuar 56-vjeçarit Staka, të vinte poshtë për t’u sqaruar. Sapo viktima ka zbritur, është goditur me grushte në fytyrë e qafë, ku pas disa orësh si pasojë e hemorragjisë së brendshme humbi dhe jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë