Ka ndodhur

Vrau bashkëshortin te tregu i Milotit, dënohet me 9 vjet burg 38-vjeçarja

Gjykata e Apelit Tiranë dënoi përfundimisht me 9 vjet burgim Violeta Donajn, 38-vjeçaren e cila vrau në vitin 2018 bashkëshortin e saj, Kujtim Donaj.

Ngjarja e rëndë ndodhi tek tregu i Milotit, ku Violeta qëlloi 4 herë me pistoletë burrin. Në njoftimin e Gjykatës së Apelit thuhet se, Donaj u deklarua fajtore për kryerjen e veprës penale “Vrasje e kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike”.

Më 9 tetor 2020 Gjykata e Kurbinit e kishte dënuar me 17 vite burg për kryerjen e e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Violeta Donaj e kreu vrasjen e bashkëshortit në një tezgë të tregut të Milotit, ku çifti shiste çdo fundjavë rroba të përdorura për të ushqyer familjen.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 7 të mëngjesit të së dielës, 17 gusht 2018. Çifti Donaj, prindër të dy fëmijëve.

Pasi ka qëlluar me katër plumba ndaj Kujtim Donaj, 35 vjeçarja tentoi të largohet, por u vu në pranga nga policia.

Në dëshminë e parë që u publikua në media, gruaja kishte thënë se bashkëshorti i saj luante bixhioz dhe ishte xheloz, situatë kjo që shkaktonte debate në familje dhe që e detyroi atë të kryente krimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë