Ngjarje

Vrasjet e shqiptarëve, Greqia: Akuzat e Shqipërisë të papranueshme

Qeveria dhe autoritetet policore të Greqisë i kanë kthyer përgjigje Ministrisë së Jashtme shqiptare, në lidhje me vrasjet e fundit të disa shtetasve shqiptarë, ku u kërkua një zbardhje e plotë dhe hetim sa më i shpejtë i këtyre ngjarjeve.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me njoftimin e sotëm të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, për vrasjen e një të riu shqiptar në Kavala, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Alexandros Genimatas, ka deklaruar: "Greqia është një vend europian, ku shteti i së drejtës funksionon në mënyrë efektive. Autoritetet kompetente shqyrtuan menjëherë rastet e referuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, të cilat u hetuan dhe u zbardhën, siç thuhet edhe në njoftimin e policisë greke”, - tha zyrtari grek.

Genimatas shpjegon se “vendosmeria e autoriteteve greke për të luftuar kriminalitetin në çdo formë është e padiskutueshme. Në mënyrë të ngjashme, përsërisim se dënojmë me vetëdije të gjitha format e dhunës dhe racizmit, të cilat mund të kushtojnë jetën njerëzore”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të shtetit fqinj, i ka cilësuar të papranueshme akuzat e autoriteteve shqiptare në lidhje me ngjarjet e fundit.

“Përgjithësimet që përpiqet të bëjë Ministria e Jashtme Shqiptare, duke i quajtur si të njëjta, rastet e ndryshme penale dhe duke i kosnideruar ato ‘një fushatë të pashpallur urrejtjeje dhe dhune’, nuk korrespondojnë me realitetin dhe janë të papranueshme”.
Deklarata e zyrtarit grek, mbyllet me një mesazh: “Në pritje të konkluzionit përfundimtar mbi vdekjen e shtetasit grek, Konstantin Katsifas nga plumbat e forcave të sigurisë shqiptare, i bëjmë thirrje ministrisë së Jashtme të vendit fqinj për të treguar përgjegjësi si dhe qetësinë e kërkuar nga rrethanat”.

Për rastet e fundit, ku kanë mbetur viktima disa shtetas shqiptarë, ka reaguar edhe policia greke, e cila bën të ditur se për çdo rast, kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e këtyre ngjarjeve: “Lidhur me vrasjet e shtetasve shqiptarë në territorin grek, deklarojmë se policia, ka nisur menjëherë hetimet sipas procedurave hetimore dhe ka aplikuar metodat e hetimit ligjor në bashkëpunim me autoritetet e prokurorisë, me synim zbardhjen e çdo rasti dhe sigurimin e provave shkencore, si për gjetjen e autorëve dhe ngritjen e akuzave të bazuara ndaj tyre, ashtu edhe për zbardhjen e shkaqeve të këtyre ngjarjeve. Theksojmë, se te gjitha rastet janë zbardhur dhe autorët i janë dërguar drejtësisë”, - përfundon deklarata e policisë greke.

Në një reagim për vrasjet e fundit në Greqi, MEPJ shqiptare kërkoi që të mos vonohet zbardhja e këtyre ngjarjeve dhe të frenohen përpjekjet e Agimit të Artë apo segmenteve të tjera ekstremiste për të cënuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë