Ngjarje

Vrasjet e shqiptarëve në policinë greke, dosja në Strasburg

Çështjet e mbyllura nga gjykatat greke për vrasjen e emigrantëve shqiptarë nga policia e shtetit fqinj mund të rihapen sërish.

Monitoruesi Grek i Helsinkit i drejtohet Presidentit të Këshillit të Ministrave, të Këshillit të Evropës, duke i kërkuar ndër të tjera rihapje të hetimeve për 12 çështje të fituara në Gjykatën e Strasburgut, me të paditur shtetin grek. Një iniciativë e tillë bëhet e ditur nga ana e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Një nga këto raste është Çelniku kundër Greqisë (Ilir Çelniku u vra nga forcat e policisë greke në Nëntor të vitit 2001). Gjithashtu, Komitetit të Ministrave i kërkohet të hetojë vdekjen e shtetasit shqiptar, 28-vjeçarit Pëllumb Marnikollaj, i cili humbi jetën në datën 3 Gusht 2016, në ambientet e Stacionit të Policisë së Patisias (në rrugën Aghias Lavras në Athinë).

Letra e Monitoruesve grek të Helsinkit drejtuar Këshillit të Europës

Autoritetet policore greke pretenduan dy javë pas ngjarjes (18 Gusht), se i ndjeri Pëllumb Marnikollaj u hodh nga kati i dytë i stacionit të policisë! Gjithashtu, autoritetet nuk informuan askënd nga familjarët e viktimës, të cilët lokalizuan trupin e tij në datën11 Gusht, në kohën kur do të varrosej si një person i cilësuar si pa kërkuar.

Rasti Çelniku

Sipas raportimeve të paraqitura edhe në Gjykatën e Strasburgut, në pasditen e 21 nëntorit 2001, oficeri i policisë së Athinës I.R. po ecte në qendër të qytetit të Athinës, kur iu bë e ditur nga një informator se, Gentian Çelniku, i njohur nga policia si “kinezi”, ishte në afërsi të sheshit Amerika. Gentjan (Ilir) Çelniku, dyshohej se ishte përfshirë në një incident në të cilin persona të tjerë me origjinë shqiptare ishin plagosur rëndë, dhe mendohej se ai lëvizte gjithmonë i armatosur me një thikë. Pasi u vu në dijeni nga I.R., oficeri i policisë V., i shoqëruar nga tre policë të tjerë, mbërriti në afërsi të kafenesë ku i dyshuari dhe katër shtetas të tjerë shqiptarë mendohej se ishin.

Pasi morën autorizimin për kapjen e pesë individëve në fjalë dhe i kërkuan I.R. të mos merrte pjesë në operacion, V. dhe tre policët hynë në kafene dhe urdhëruan të dyshuarit të ngrinin duart lart dhe të shtriheshin në dysheme. z.Çelniku nuk u bind dhe u përpoq të fuste dorën poshtë xhupit të tij. Duke besuar se kolegët e tij ishin në rrezik, I.R. ndërhyri, duke shkuar drejt z. Çelniku me një armë zjarri në dorë. Kur ky i fundit e goditi I.R. me shkelm në dorën e djathtë, arma shkrepi duke qëlluar z. Çelniku në kokë, i cili vdiq në vend. Gjykata greke vlerësoi se, nuk kishte para saj ndonjë element që ta bënte të vinte në pikëpyetje faktet e konstatuara nga gjykatat greke, dhe për këtë arsye mbajti qëndrimin se e shtëna fatale nuk ishte shkaktuar nga ndonjë veprim i qëllimshëm nga ana I.R. Prandaj, Gjykata vlerësoi se përdorimi i forcës vdekjeprurëse nuk i atribuohet shtetit grek. Por Strasburgu e rrëzoi një vendim të Gjykatës greke.

Vrasja e Pëllumb Marnikollaj

Pëllumb Marnikollaj humbi jetën në datën 3 Gusht 2016, në ambientet e Stacionit të Policisë së Patisias (në rrugën Aghias Lavras në Athinë). Policia greke në deklaratën e saj bëri të ditur se shqiptari Marnikollaj Autoritetet policore greke pretenduan dy javë pas ngjarjes, më 18 gusht, se i ndjeri Pëllumb Marnikollaj u hodh nga kati i dytë i stacionit të policisë. Gjithashtu, autoritetet nuk informuan askënd nga familjarët e viktimës, të cilët lokalizuan trupin e tij në datën11 gusht, në kohën kur do të varrosej si një person i cilësuar si pa kërkuar. Familjarët e të ndjerit ngritën akuza ndaj policisë, duke deklaruar se ndaj Pëllumbit ishte ushtruar dhunë. Madje nga këqyrja e trupit të viktimës u panë shenja hematome.

Pëlumb Marnikollaj, shqiptari i gjetur i vdekur në gusht të vitit 2016

Por çështja u mbyll nga ana e Gjykatës greke. Kjo bëri që vihet në lëvizje Monitoruesit Grek të Helsinkit, i cili iu drejtua Gjykatës së Strasburgut. Kjo nismë është ndërmarrë nga ana e Panajotis Dimitras, drejtori ekzekutiv i Monitoruesve të Helsinkit në Greqi.

Vrasja e të riut shqiptar pati reagime të forta edhe në Shqipëri. Në Shqipëri dhe në Greqi pati protesta duke kërkuar drejtësi për ngjarjen në fjalë.

Nikoll Marnikollaj, Babai i 29-vjeçarit Pëllumb Marnikollaj u shpreh i bindur se djali i tij u vra nga policia greke në zyrat e shtetit grek. Në një intervistë për mediat, Nikoll Marnikollaj sqaroi të gjitha momentet, që në kohën kur djali i tij u largua për t’u paraqitur në policisë dhe derisa kanë gjetur trupin gati për t’u varrosur, pa u lajmëruar nga familjarët.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, rezultoi se shkak për vdekjen e të riut ishte bërë një shembje e trurit nga një traumë e rëndë në kokë.

Madje edhe kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në Facebook do të deklaronte qeveria tij nuk ka heshtur përballë kësaj ngjarjeje.

“Meqë disa komentues në këtë faqe, kanë ngritur shqetësimin pse po hesht qeveria për humbjen e jetës së një shtetasi shqiptar në një rajon policie në Athinë, sqarojmë se qeveria jo vetëm nuk ka heshtur, po e ka ndjekur dhe po e ndjek hap pas hapi këtë çështje! Ja edhe deklarata e plotë që Ministria e Jashtme ka bërë në kohën e duhur për çështjen: Ministria e Punëve të Jashtme ka ndjekur hap pas hapi nëpërmjet të gjitha kanaleve zyrtare rastin tronditës të humbjes së jetës së shtetasit shqiptar P.M. në një rajon policie të Athinës. Duke u shprehur familjareve ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje tragjike, dëshirojmë të informojmë opinionin publik se Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi ka kërkuar nga pala greke bashkëpunimin e menjëhershëm dhe maksimal të të gjitha organeve ligjzbatuese. Nga kontaktet e deritanishme me autoritetet greke, bëhet e ditur se ekzistojnë pamjet filmike të ngjarjes, si dhe është urdhëruar kryerja e autopsisë mjeko-ligjore. Ministria e Punëve të Jashtme do të vijojë të ndjek me vëmendje të veçantë rastin dhe kërkon nga autoritetet greke kryerjen e një hetimi të plotë dhe transparent, në respekt të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare”, do të deklaronte Rama më 16 gusht.

Postimi i kryeministrit Edi Rama më 16 gusht 2016

Gjithashtu kryeministri bëri të ditur se pala shqiptare mbetet në pritje të rezultateve paraprake të hetimit të nisur, dhe bashkëpunimit të plotë të autoriteteve greke, duke rezervuar të gjitha te drejtat për trajtimin e mëtejshëm të rastit. “Ambasada jonë në Athine do të ndjek në vijimësi këtë çështje në çdo instancë dhe do të vijojë t’i gjendet pranë të afërmve të viktimës. Deri në zbardhjen e plotë të situatës MPJ fton të respektohet dhimbja e familjareve dhe të mos instrumentalizohet politikisht kjo ngjarje”, do të deklaronte Rama.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë