Rend dhe Ligj

Vrasjet dhe akuzat / Nga Talo Çela te Jani Aliaj, policia kërkon ndihmë për kapjen 5 të super të kërkuarve

Gazeta Si – Policia e Shtetit ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e 5 personave më të kërkuar në vend.

Bëhet fjalë për Talo Çelën 51 vjeç, Erjon Llapushin 34 vjeç, Ibrahim Licin 29 vjeç, Laert Haxhiun 30 vjeç dhe Jani Aliaj 45 vjeç. Këta persona janë në kërkim nga policia për vepra të rënda penale kundër personit dhe pronës.

Po ashtu, policia thotë se për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në lokalizimin e vendndodhjes së këtyre personave, do të vendosen në dispozicion shuma të konsiderueshme parash, por pa specifikuar vlerën.

“Cilido që mund të disponojë informacione të vlefshme, të telefonojë në numrin e celularit 069 41 10 853, duke garantuar anonimat të plotë”, – thuhet në një njoftim zyrtar të policisë.

Cilët janë të super-kërkuarit

Talo Çela, 51 vjeç

Talo Çela

Është një nga emrat më të kërkuar të krimit në Shqipëri. 51-vjeçari akuzohet për grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit mesditën e 9 prillit 2019.

I shumëkërkuari për këtë dosje, do gjykohet veçmas anëtarëve të tjerë të grupit të grabitësve, pasi me ndryshimet e reja ligjore, çështja e një të dyshuari pezullohet për 1 vit dhe nëse ai nuk arrestohet brenda këtij harku kohor, atëherë nis gjykimi i tij në mungesë.

Ndaj Talo Çelës, është pezulluar procesi edhe për vrasjet e dyfishta në Durrës, ku mbetën të vrarë katër persona, Anxhelo Avdia, Renato Avdyli dhe vëllezërit Besmir e Viktor Haxhia, ngjarje të ndodhura në vitin 2020.

Ai dyshohet se është personi që urdhëroi këto vrasje, për shkak të humbjes së një sasie të konsiderueshme parash, të grabitura në Rinas. Çela dyshohet se është autori i plagosjes së para pak javëve të Nuredin Dumanit në Elbasan, me të cilin kanë qenë miq.

Erjon Llapushi, 34 vjeç

Erjon Llapushi

Një personazh i skeduar për aktivitet kriminal, dhunë dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në vitin 2007, Llapushi ka tentuar të vrasë me armë zjarri Andi Sukollarin. Por nuk është ndalur me aq, pasi ka kryer dënimin, ka dalë nga burgu dhe ka plagosur rëndë Mariglen Topuzin në qytetin e Pogradecit.

Në 29 maj 2021, 34-vjeçari u arrestua sërish, pasi po transportonte 24 emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të BE-së. Sipas Kodit Penal, një vepër e tillë penale dënohet 3 deri në 7 vite burg, por Llapushi, për arsye që nuk dihen u la i lirë.

Në janar të vitit 2020, Erjon Llapushi ishte objekt i Operacionit Forca e Ligjit, por nuk iu sekuestrua asnjë pasuri.

Nga maji deri në 2 tetor 2021 nuk shkaktoi asnjë problem, kur u shfaq tejet i revoltuar për ndryshimin e një tavoline, duke i marrë jetën kryekamerierit Gazment Kurmaku, 57 vjeç në një restorant të njohur në Elbasan. Pas ngjarjes u zhduk për në drejtim të paditur, ndërkohë që policia nuk ka mundur ende që ta lokalizojë.

Ibrahim Lici, 29 vjeç

Ibrahim Lici

Ai akuzohet për një mori vrasjesh përmes atentateve në Shkodër. Më e fundit ishte ajo e Endri Mustafës një vit më parë në zonën e Livadheve në Shkodër. Kjo akuzë u kundërshtua një ditë më vonë nga të afërmit të Licit.

Po ashtu, policia e akuzon Irahim Licin edhe për vrasjen e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, marsin e vitit 2019 në Shkodër.

Në atë kohë u vunë në pranga dy bashkëpunëtorët e tij, Arsen Stojku 29-vjeç dhe Mislim Rama 23-vjeç nga Vau i Dejës, ndërsa vetë Lici u shpall në kërkim.

Laert Haxhiu, 30 vjeç

Laert Haxhiu

Është i dyshuar si atentatori kryesor i ngjarjes së 11 shtatorit 2017 në Lushnjë, ku mbetën të vrarë dy persona, Jurgen Hoxha dhe Samir Latifi.

Haxhiu nga Prokuroria e Lushnjës është akuzuar edhe për vrasjen e Gerti Salës, i njohur ndryshe si “Iriqi”, anëtar në bandën e Lushnjës, në vitin 2009 dhe si autor kryesor i plagosjes me pistoletë me 25 shtator të 2016-ës të Xhulio Shkurtit (nipi i Aldo Bares) dhe Saimo Xheliut. Po ashtu, në 2016-ën, ai ka tentuar të ekzekutojë nipin e Aldo Bares, Xhuljo Shkurti në qendër të Lushnjës.

Jani Aliaj, 45 vjeç

Jani Aliaj

Ka lindur dhe është rritur në Tepelenë, konsiderohet si një nga individët më të rrezikshëm të krimit shqiptar, me veprimtari në kultivimin dhe trafikun e drogës.

Mbi Aliajn dhe grupin e tij kriminal rëndojnë akuzat për shumë vrasje, por më e bujshmja ishte ajo 1 majit 2016: ekzekutimi i një tjetër eksponenti të fuqishëm të krimit Elton Çiço në Tiranë. Ai shte duke pirë kafe me një oficer policie, një doktor dhe një gazetar të kronikës së zezë. Pavarësisht nga njerëzit e shumtë, Jani Aliaj është futur në lokal dhe ka qëlluar drejt Çiços me gjakftohtësi. Ai vdiq në vend, me dy plumba në kokë.

Si fillesë e kësaj sage hakmarrje mes dy bandave, dyshohet të ketë qenë vrasja e shokut të fëmijërisë së Elton Çiços nga Jani Aliaj. Por përveç kësaj, policia ka ndjekur edhe pistën e një prishjes së pazareve në trafikun e drogës në Greqi ku të dy grupet nga Tepelena kanë ushtruar aktivitetin kriminal, prej gati dy dekadash.

Vrasja e parë ka ndodhur në fshatin Zhabokikë në qershor të vitit 2000, kur Jani Aliaj goditi për vdekje me thikë E.Ballazhiun, 20 vjeç, shoku i fëmijërisë së Elton Çiçës. Në atë moment, autori i kësaj vrasjeje nuk dihej dhe Çiço ishte angazhuar për ta gjetur. Në 2003, Çiço arrestohet në Greqi dhe përballet në burg me Jani Aliajn, të dy të arrestuar për drogë.

Pikërisht brenda ambienteve të burgut grek, Çiço tenton të vrasë Aliajn, por arrin vetëm që ta plagos në dhomën e ajrimit me një thikë të improvizuar.

Pak kohë më vonë të dy përfitojnë ulje dënimi dhe dalin nga burgu grek, por për tu “takuar” sërish me njëri-tjetrin në Shqipëri, ku vijojnë disa atentate reciproke, deri në ekzekutimin e Çiçës para 6 vjetësh. Aliaj u dënua me burgim të përjetshëm në mungesë për këto akuza.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë