Ka ndodhur

Vrasja në Selanik, 20-vjeçari shqiptar i akuzuar është kthyer në Shqipëri

Autoritetet greke kanë shpallur në kërkim një 20-vjeçar shqiptar, i cili akuzohet si pjesë e grupit që dhunuan për vdekje adoleshentin grek në Selanik, Alkis Kambanu.

Ai dyshohet se është bashkëpunëtori i 23-vjeçarit tjetër shqiptar, që akuzohet për vrasje, i cili është arrestuar nga policia greke.

Së bashku me një grup grekësh dhe shqiptarësh, ata konsiderohen si pjesë e tifozerisë huligane të skuadrës së futbollit PAOK i Selanikut.

Sipas mediave helene, 20-vjeçari shqiptar me iniciale D.R., është arratisur drejt Shqipërisë që më datë 2 shkurt.

Televizioni “Mega” raporton se i riu u largua nga Greqia një ditë pas sulmit ndaj 19-vjeçarit Alkis, i cili mbeti i vdekur. Sipas të dhënave, 20-vjeçari kaloi kufirin greko-shqiptar me makinë rreth orës 23:45.

Ai ka kaluar normalisht nëpër pikën kufitare të Kapshticës, madje ka vulosur edhe pasaportën e tij shqiptare, pasi deri paraditen e së shtunës, nuk ka qenë në kërkim.

Ndërkohë, 23-vjeçari shqiptar që është i arrestuar për krimin, nuk e pranon vrasjen dhe nuk pranon të bashkëpunojë, sipas mediave lokale.

Megjithatë, policia greke e konsideron atë vrasës të dyshuar në bazë të disa pamjeve të sigurisë, të cilat janë publikuar edhe në media.

Tifozët e PAOK-ut sipas policisë greke vepronin si një organizatë kriminale, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me këtë çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë