Gazeta Si – Shtatë persona janë përfshirë në sherrin që nisi në një lokal në Memaliaj dhe përfundoi në përdorimin e armëve të zjarrit, ku përveç viktimës Endri Goxhaj, 30 vjeç, i plagosur me 4 plumba mbeti edhe Dani Nela, 25 vjeç.
Në një njoftim për mediat, Policia e Gjirokastrës thotë se ka arrestuar 3 persona, ka shpallur në kërkim 2 të tjerë dhe 1 është vënë nën hetim.
Këtij të fundit i është komunikuar masa e arrestit në spital, ndërsa në pranga ka rënë edhe 47-vjeçari, Aldo Kalemi, të akuzuar për “vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërsa, Ermal Mataj, 41 vjeç, u arrestua për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Sipas policisë, vrasja e Goxhajt ndodhi gjatë një konflikti të çastit mes 7 personave, por burime paraprake nuk përjashtojnë pistën e prishjes së pazareve të drogës pas konflikteve të hershme mes dy grupeve.
Dyshohet se ka qenë 30-vjeçari Goxhaj, i cili humbi jetën, i pari që ka qëlluar drejt Dani Nelës që raportohet se ka marrë 4 plumba, 2 në mushkëri, një në bark dhe një në shpretkë.
Më pas, kanë qenë dy vëllezërit e Nelës, Donaldo dhe Marjaldo, që janë kundërpërgjigjur me armë zjarri në drejtim të Goxhajt, i cili ka humbur jetën rrugës për në spital.
Dy vëllezërit, Donaldo Nela 29 vjeç dhe Marjaldo Nela 28 vjeç, menjëherë pas të shtënave janë larguar me makinë nga vendi i ngjarjes dhe janë ende në kërkim nga policia.
Donaldo Nela është person me precedent penal, i përfshirë në trafik droge, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Grupi që ai bënte pjesë, është goditur në 2018-ën nga Policia e Sarandës. Ai po ashtu, rezulton i hetuar edhe si autor i një grabitje të një pike të këmbimit valutor në Tepelenë.
Ndërkohë, Dani Nela, sipas burimeve është dhëndër te fisi Kalemi, ndërsa nga i njëjri fis ka rënë në pranga edhe Aldo Kalemi.
Këta të fundit njihen për përplasjet e forta me fise të tjera për pazare droge, ndërsa dyshohet se fshihen pas disa vrasjeve, mes tyre dhe ajo e Aleksandër Sadikajt.
Policia ka sekuestruar pistoletën me të cilën dyshohet se Goxhaj plagosi Dani Nelën. Arma është me fishek në fole.
Gjithashtu janë sekuestruar 1 krehër me fishekë, municion luftarak, 2 automjete, 2 motomjete, 4 celularë dhe sende të tjera nga vendngjarja, të cilat do t’i shërbejnë vijimit të hetimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje