Më 16 tetor, reparti special i ushtrisë feston 20-vjetorin e krijimit. Me numër 10 50, ky repart është i njohur ndryshe me emrin reparti i “Beretave të Kuqe”, ndërsa nga vetë ushtarakët e tij quhet reparti i luftës. Prej krijimit të tij “Beretat e Kuqe” kanë qenë në dhjetëra misione lufte, ndërsa së fundmi reparti special ka vetëm një shërbim në Kabul, ku po trajnohen forcat speciale të ushtrisë afgane.
Mes atyre që ushtarakët e forcave speciale i njohin mirë është edhe Mevjol Bilo, i cili nëse nuk do të ishte kthyer në një të shumëkërkuar, do vazhdonte të ishte një i panjohur si shumë ushtarakë të tjerë të kthyer nga lufta dhe që, ose punojnë në Gardën e Republikës, ose janë truproja të disa përfaqësive diplomatike. Mevjol Bilo, me gradë rreshter, ishte oficer në forcat speciale të ushtrisë deri ditën kur u përfshi në krimin që mendohet se mund të jetë edhe një përplasje bandash, pavarësisht se dyshimi kryesor është ai i motivit banal për një ngacmim të këngëtares Elvana Gjata. Në kartelën e Bilos, 41 vjeç dhe baba i dy fëmijëve, gjen të dhënat e tij, të pazakonta për shumë pjesëtarë të tjerë të forcave të armatosura. Mevjol Bilo nuk ishte një oficer i thjeshtë, ai ishte i stërvitur për luftë. Ushtarak që prej vitit 1998, ai ka qenë me shërbim tri herë në Kandahar si forcë speciale, pjesë e misioneve Eagle Combat.
Pikërisht, fjala anglisht “Combat” e bashkuar me vendin e shërbimit Kandahar, tregon shumë për aftësitë luftarake të Bilos. Nga gushti 2011 deri në gushtin e vitit 2013 ka shërbyer në misionin Eagle 7, ndërsa shërbimin e fundit e ka mbaruar në vitin 2014. I trajnuar nga shteti për të ndërhyrë në çlirimin e pengjeve në qendrat tregtare, në avionë apo trena, ai cilësohet nga dëshmitë e shokëve me të cilët ka shërbyer, si një ndër më të mirët në zbulimin special dhe i është dhënë medalja e karrierës nga NATO për shërbime të shquara.
Një nga misionet e Bilos, me karrierën e tij të pasur si ushtarak, siç tregojnë ata që e njohin në ushtri, ishte edhe mbrojtja ( eksportimi) i kryeministrit Edi Rama në vizitën e tij të parë dhe mjaft të tensionuar në Beograd, ku së bashku me tre efektivë të tjerë kishte përgjegjësinë e ruajtjes së Ramës në një mjedis aspak miqësor për dy ditë me radhë.
Ai gjithashtu ishte përzgjedhur nga forcat speciale amerikane afro dy dekada më parë për të marrë kutinë e zezë të një avioni amerikan të rrëzuar në territor armik gjatë luftës së Kosovës.
Por, përveç kësaj CV-je që do krenonte çdokënd, sot ushtaraku është njëri nga më të kërkuarit e policisë dhe me aftësitë që ka, dëshmon një tjetër komando. Ai ka pak gjasa që të kapet vetëm nëse dorëzohet me vullnetin e tij për ngjarjen që u mbyll me vrasjen e Fabjol Gaxhës dhe plagosjen e 3 të tjerëve. Policia nuk jep asnjë të dhënë për rolet e luftës me armë në lokalin e Redi Popeskut në ish-Bllok. Por, ajo që dihet është se Mevjol Bilo, përveçse truprojë, është gjithashtu djali i hallës së këngëtares Elvana Gjata, me të cilën ndodhej në tavolinë, së bashku me të dashurin e saj, Ervin Mata. Pak dihet gjithashtu për dinamikën e ngjarjes, madje ekzistojnë shumë variante se kush e nisi sherrin i pari e kush qëlloi me grushte e kush me armë, por nga dëshmitë paraprake Bilo është i vetmi i dyshuar për një vrasje dhe dy plagosje të enjten në mbrëmje në qendër të Tiranës.
Siç edhe kuptohet, policia e di mirë se kë ka përballë dhe ende nuk jep një shpjegim se si oficeri më i mirë i forcave speciale të ushtrisë doli nga kontrolli dhe u përfshi në një krim, në të cilin mbeti i plagosur edhe një eksponent tjetër i krimit të organizuar, siç është Ervis Martinaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.