Rend dhe Ligj

Vrasja me snajper në Vlorë, Balla: Jemi pranë zbardhjes e kapjes së autorëve. Kemi vetëm një pistë kryesore

Gazeta Si – Hetimet për vrasjen e Gëzim Sinomatajt me snajper në Vlorë, duket se janë përqendruar në pistën kryesore dhe rrethi për arrestimin e autorëve është ngushtuar.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nga Vlora tha se hetuesit kanë një pistë kryesore për këtë ngjarje, duke lënë të kuptohet se janë pranë zbardhjes së saj.

Nga analiza e bërë për drejtorinë e qytetit bregdetar, Balla shtoi se për zbardhjen e saj është angazhuar edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

“Është një ngjarje kriminale e rëndë për të cilën është angazhuar personalisht Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për ndjekjen e saj, së bashku me drejtorin vendor dhe drejtues të tjerë të Drejtorisë së Përgjithshme. Besoj që në pistën kryesore që kemi, do të shkojmë drejt dokumentimit dhe arrestimit të autorëve”, ka thënë Balla për mediat.

Disa ditë më parë, pas më shumë se 18 orësh të ndaluar në komisariat, Policia e Vlorës ka lënë të lirë 15 personat e shoqëruar të dyshuar për vrasjen e Gëzim Sinomatajt.

Grupi hetimor nuk arriti të gjejë asnjë provë të vlefshme që mund të implikonte personat që policia kishte skeduar si të dyshuar.

Nga hetimet, policia lokale sipas grupit hetimor, ka pikasur një automjet që dyshohet se ka ndihmuar autorët të largohen nga vendngjarja, që sipas bluve rezulton i shitur në Vlorë, por pa akt shitje.

Hakmarrja është pista kryesore e hetimeve për zbardhjen e kësaj ngjarje të regjistruar mbrëmjen e 7 janarit në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë.

Sinomati u qëllua me snajper në ballkonin e banesës së tij, ku dyshohet se tre persona kanë marrë pjesë.

Autorët përdorën një makinë me targa të dubluara të një automjeti në zonën e Kamzës, si dhe janë kujdesur të shuajnë çdo provë duke djegur makinën në një zonë pa kamera sigurie.

I pyetur në lidhje me efektshmërinë e kontrolleve të forcave të ndërhyrjes së shpejtë dhe RENEA-s, të cilat prej 10 ditësh vazhdojnë të qëndrojnë në Vlorë, ministri Balla thotë se duhet krijuar siguri tek qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë