Ka ndodhur

Vrasja e Shkëlzen Kastratit në Fier, si u kap autori i dyshuar

Autori i dyshuar i vrasjes së Shkëlzen Kastratit, ngjarje e ndodhur më shumë se një muaj e gjysmë më parë në Fier, është arrestuar nga policia.

Në pranga ka rënë 37-vjeçari Albert Zaja, të cilit gjatë arrestimit i është sekuestruar një pistoletë e llojit “Gloc”, e mbushur me fishekë në gojë.

Autori i dyshuar i vrasjes së Kastratit, pas arrestimit në Larushk të Fushë Krujës, është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie në Drejtorinë e Policisë Tiranë.

Sipas policisë, në momentin e arrestimit Zaja mbante me vete një armë tip pistoletë, ndërsa sapo ka parë se është rrethuar nga forcat e rendit, ka tentuar të fshehë në baltë një armë zjarri pistoletë dhe ka tentuar të largohet, por është kapur dhe prangosur.

Policia shton se, vijon operacioni edhe për kapjen e tre personave të tjerë, të akuzuar për të njëjtën vepër penale.

Bëhet fjalë për shtetasit: Elmir Tufa, 29 vjeç; Elson Xhecuka, 27 vjeç, banues në Kamzë dhe Silvio alias Roland Cara, 39 vjeç, banues në Tiranë.

Shkëlzen Kastrati u ekzekutua me dy plumba, njërin prej tyre në kokë, paraditen e 1 shkurtit, në fshatin Sheq në Fier brenda makinës së tij.

Ai ka qenë në lëvizje me makinë dhe është qëlluar nga një person nga një makinë tip ‘Range Rover’.

Kastrati ka ecur disa metra, duke u përplasur me një makinë tjetër që po kalonte aty.

Të gjitha hetimet janë përqendruar tek hakmarrja, për shkak të së kaluarës së tij dhe të vëllait.

Pesë vite më parë, është tentuar të vritet në atentat Klemend Kastrati, vëllai i Shkëlzenit.

Nga ajo ngjarje humbi jetën Denis Kasaj nga Vlora, kurse Klemendi u plagos. Eliminimi i tij dyshohet se ishte për hakmarrje, pasi nga hetimet e kryera në atë kohë, ka rezultuar se Klemend Kastrati ishte i përfshirë në një plagosje të vitit 2008, për shkak të një sherri makinash, por ai u dyshua dhe për një vrasje të ndodhur në vitin 2012.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë