Drejtësia

Vrasja e Santiago Malkos, SPAK kërkon dënimin me 25 vjet burg për Ilir Selmanin

Gazeta Si - SPAK ka kërkuar 25 vite burg për Ilir Selmanin, i cili akuzohet si një nga organizatorët e vrasjes së Santiago Malkos në gusht 2019.

Ndërsa për Elvis Gaçajn, i dyshuar si një nga bashkëpunëtorët, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 7 vite heqje lirie.

Selmani u arrestua në prill të vitit 2020, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Malkos dhe si i përfshirë në klanin "Duka", ra në prangat e policisë në afërsi të maternitetit “Koço Glizoheni”.

Ai dyshohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Malkos, pasi u kap nga disa kamera sigurie teksa mblidhte mbeturina dhe i hidhte në një kosh pranë vendngjarjes.

Për këtë ngjarje u dënua me 25 vite burg Blendi Teta, si person që kishte mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Malkos, duke njoftuar edhe autorët për të kryer ekzekutimin.

Ish-punonjësi i policisë, Santiago Malko, mik i Ervis Martinajt, u vra me dhjetë plumba në makinën e tij mbrëmjen e 27 gushtit 2019 pranë zonës së “Porcelanit” në Tiranë.

Në kërkim me vendim gjykate janë shpallur 7 persona, Elis Duka, Xhoni Nica, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku e Dritan Agaj të gjithë nga Tirana, si dhe Fatmir Hyseni nga Vlora, i njohur ndryshe me nofkën “Doqja”.

Malko dyshohet të ketë qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale, e ndërsa dyshimet e policisë janë se ai u ekzekutua për shkak të trafikut të lëndëve narkotike, borxheve të pashlyera e konflikteve mes bandave të rrezikshme.

Santiago Malko dikur ka shërbyer në radhët e Policisë së Shtetit dhe më pas është përjashtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë