Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka dënuar me 35 vite burg 2 të pandehurit në dosjen e vrasjes së ish-policit Santiago Malko në verën e vitit 2019 në Tiranë.
GJKKO dënoi me 28 vjet burg Ilir Selmanin, i akuzuar për bashkëpunim në vrasjen e ish efektivit, ndërsa me 7 vite burg Elvis Gaçajn. Ndaj këtij të fundit, janë ngritur akuzat e armëmbajtjes pa leje në disa raste dhe largim nga vendi i vuajtjes së dënimit.
Selmani u arrestua në prill të vitit 2020, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Malkos dhe si i përfshirë në klanin "Duka", ra në prangat e policisë në afërsi të maternitetit “Koço Glizoheni”.
Ai dyshohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Malkos, pasi u kap nga disa kamera sigurie, teksa mblidhte mbeturina dhe i hidhte në një kosh pranë vendngjarjes.
Për këtë ngjarje u dënua me 25 vite burg Blendi Teta, si person që kishte mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Malkos, duke njoftuar edhe autorët për të kryer ekzekutimin.
Për vrasjen e Malkos, i njohur si mik i Ervis Martinajt, SPAK akuzon klanin Duka me përfshirjen e Leonard Dukës, Erlis Dukës, Oltian Logës, Aleksandër Maxhakut, Fatmir Hysenit (Musai), Dritan Agajt.
Leonard Duka është arrestuar në shkurt të këtij viti në Belgjikë, pasi ka një masë sigurie "arrest në burg" nga Gjykata e Posaçme, ndërsa ende nuk ka një dritë jeshile për ekstradimin e tij.
Të gjithë ata po hetohen në mungesë dhe akuzohen për "Grup i Strukturuar Kriminal", "Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal", "Vrasja me paramendim", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".
Ditën e sotme është mbajtur në GJKKO senaca tjetër për vrasjen e Santiago Malkos, e cila u zhvillua me debate. Avokatët e vëllezërve Leonard dhe Elis Duka, të cilët po gjykohen në mungesë, kërkuan pavlefshmërinë e akt-ekspertizës të bërë nga Prokuroria e Posaçme për pamjet filmike që u shfaqën në GJKKO rreth 5 muaj më parë, targat e saj dhe personat që ishin brenda.
Për të provuar këtë, avokatët kanë depozituar një ekspertizë private, përmes të cilës pretendojnë, se materialet e përcaktuara nga hetimet e SPAK, nuk çojnë në identifikimin e llojit të makinës, të targës apo të personave që ndodheshin brenda mjetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.