Drejtësia

Vrasja e rapsodit dhe mikut të tij në Lezhë, Apeli lë në burg përjetë Aleksandër Përdodën

Gazeta Si - Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin “burgim i përjetshëm” për Aleksandër Përdodën, autorin e vrasjes së dyfishtë të rapsodit Kol Murrani dhe mikut të tij Preng Simoni 3 vite më parë.

Ngjarja ka ndodhur në 27 prill 2020 në Lalm i Ri, Lezhë, ku Aleksandër Përdorda vrau pranë pronës së tij rapsodin Kol Murrani dhe mikun e tij, pasi zbuluan parcelat me kanabis në tokat e tyre.

Ai kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Lezhës, që e kishte dënuar me burgim të përjetshëm për akuzat “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe “Moskallëzim krimi”.

Aleksandër Përdoda kishte kërkuar të shpallej i pafajshëm, por Apeli ka lënë në fuqi dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Viktimat, Kol Murrani dhe Preng Simoni

Pasi Prokuroria mbylli hetimet, Gjykata e shpalli fajtor Përdodën në prill 2022 dhe e dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen e dyfishtë.

Përdoda, njihej në zonë si kultivues i lëndëve narkotike dhe kishte patur probleme pronësie edhe me banorë të tjerë të fshatit.

Në orët e para të mëngjesit të 27 prillit 2020, Preng Simoni dhe Kol Murrani u vranë me kallashnikov në banesat e tyre.

Trupat e tyre u lanë në pyllin e fshatit për 5 orë dhe u gjetën nga i biri i Preng Simonit. Hetimet e kryera, fajësuan vëllezërit Edmond dhe Aleksandër Përdoda, duke pretenduar se ekzekutuan dy miqtë Simoni dhe Murrani për konflikte pronësie, pasi kishin mbjellë kanabis në tokat e viktimave.

Fillimisht, u arrestua Aleksandër Përdoda për ngjarjen e rëndë, ndërsa pas gati dy vitesh arrati, pasditen e 11 shkurtit 2022, Edmond Përdoda u gjet në banesën e tij në fshatin Lalm i Ri, pasi u gjurmua me dron. Një njësi speciale e RENEA-s e arrestoi në shtëpinë e tij, ku 39-vjeçari nuk bëri rezistencë ndaj forcave speciale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë