Gazeta Si – Marrëdhënia e ndëprerë bashkëshortore e motrës së autorit, dyshohet të ketë qenë motivi i vrasjes së 33-vjeçarit, Ramazan Mataj në fshatin Dragoç të Postribës në Shkodër tre ditë më parë.
Në një konferencë për mediat, drejtori i Policisë Shkodër, Fatmir Lleshaj ka zbardhur dinamikën e krimit të rëndë.
Nga hetimet, ka rezultuar se 29-vjeçari Arjon Hasaj, banues në Dragoç, ka organizuar dhe kryer vrasjen e Ramazan Matajt.
I riu, nëpërmjet llogarive të rreme në rrjetet sociale, ka komunikuar me Ramazan Matajn për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë.
Bashkëpunimi i familjes
Por Arjon Hasaj nuk ka vepruar i vetëm, pasi policia thotë se ka bashkëpunuar dhe familjari i tij. 29-vjeçari është ndihmuar nga vëllai i tij, Klisman Hasaj për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit.
Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës.
Si rezultat i kontrolleve, është bërë e mundur gjetja e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Në përfundim të hetimeve, 2 vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj janë arrestuar
Gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar dhe me disa pamje filmike ku shfaqej autori, duke ecur në rrugë. Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Sipas policisë, Arjon Hasaj,ajuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”. Ndërsa, Klisman Hasaj, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Ngjarja
Dyshohet se autori ka qenë i fshehur buzë rrugës dhe aty ka qëlluar me breshëri kallashnikovi ndaj mjetit Mercedes me të cilin po udhëtonte Ramazan Mataj.
Sapo ka ardhur 33-vjeçari, autori ka hapur zjarr duke e qëlluar me 29 plumba drejt automjetit të tij. Ka qenë një banor i zonës, ai i cili më pas ka konstatuar viktiminën dhe ka lajmëruar Policinë.
Nga dinamika e rindërtuar e vrasjes në Postribë të Shkodrës, ka rezultuar se 33-vjeçari është qëlluar nga një person i vetëm nga të dyja anët e makinës, në mënyrë që atentatori të sigurohej për të eliminuar objektivin e tij. Në vendngjarje policia ka sekuestruar 14 gëzhoja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.