Drejtësia

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, kryhet rindërtimi i skenës së krimit për eksperimentin hetimor

Gazeta Si - Tre ekspertë, dy prej të cilëve të pavarur, kanë nisur këtë të mërkurë rindërtimin e skenës së krimit të ndodhur në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2021 në Elbasan, ku gjatë një përleshje u vra me armë zjarri Pjerin Xhuvani.

Bazuar në një vendim të Gjykatës së Apelit, 3 ekspertët duhet të përcaktojnë drejtimin e qitjes së armëve ditën e ngjarjes, ku autori i dyshuar i vrasjes është ish-polici i RENEA-s, Arbër Paplekaj.

Gjykata u kërkoi ekspertëve rindërtimin e skenës në vendin e ngjarjes, ndërsa policia ka vendosur shiritat rrethues për t’i lënë ekspertëve hapësirë të punojnë.

Eksperimenti hetimor vjen pas kërkesave të Arbër Paplekajt, i cili kërkoi të caktohet këndi i qitjes jo vetëm prej tij, por edhe për dy persona të tjerë, të cilët nuk janë identifikuar ende pas kësaj ngjarjeje.

Paplekaj është i vetmi person që po përballet me drejtësinë lidhur me akuzat, edhe pse është deklaruar se ka pasur një deformim të ngjarjes dhe përpjekje për të fshehur episode të saj, duke mos kryer një hetim të plotë.

Kjo do të jetë hera e dytë që rindërtohet skena e krimit në Elbasan. Më herët, Prokuroria e Elbasanit rindërtoi ngjarjen në korrik të vitit 2022, por që duket se ka lënë dyshime mbi konkluzionet.

Për ngjarjen e rëndë në prill 2021, u dënua me 22 vite burg Arbër Paplekaj ish-efektivi i RENEA-s, i cili asokohe bënte pjesë në strukturën e mbrojtjes së votës të ngritur nga PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë