Drejtësia

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, Gjykata rrëzon Prokurorinë për 6 policët

Gazeta Si – Gjykata e Elbasanit nuk ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka lënë pa masë sigurie dhe ende në detyrë 6 punonjësit e policisë që ishin të pranishëm në momentin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021.

Sipas prokurorisë, 6 efektivët e repartit “Shqiponja” kishin pasur dijeni për makina, të cilat kishin armë në Elbasan. Mbi këto dyshime, u kërkua edhe masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për 6 efektivët të cilët pak muaj më parë u rikthyen në detyrë.

Mbrojtja thotë se informacioni i marrë nga salla operative e policisë kalon sipas hierarkisë se këtij institucioni dhe nëse do të hetohet për reagimin ose jo ndaj këtij informacioni, hetimi duhet të nisë nga strukturat drejtuese të policisë dhe të përfundojë tek policët e thjeshtë.

Kështu pas këtij vendimi 6 policët Erjon Balla, Erjon Meçja, Besmir Kadiu, Donald Dedja, Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku do të gjykohen në gjendje të lirë.

Vrasja në Elbasan, që ndodhi pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021, shkaktoi reagime të shumta dhe akuza të ndërsjella nga ana e politikës.

Partia Demokratike akuzoi socialistët që po blinin vota për të fituar zgjedhjet, ndërsa shumica akuzoi opozitën se kishte ngritur një grup të armatosur për ta përdorur para dhe gjatë zgjedhjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë