Gazeta Si - Viktor Marku dhe Sebastian Mali, dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Hekuran Billës në Tiranë, janë çliruar plotësisht nga akuzat.
Gjykata e Tiranës ka pushuar çështjen gjyqësore ndaj dajë dhe nip, pasi për më shumë se një vit e gjysmë, nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për të mbajtur në burg Markun dhe Malin, të cilët dyshohen si organizatorë.
Marku u arrestua nga policia me akuzën e ekzekutimit të Billës, kurse nipi i tij Mali me dyshimet se e kishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Në këtë mënyrë, masa e sigurisë ndaj tyre do të shuhet dhe hetimet parashikohen të nisin në pikën fillestare.
Masa e sigurisë për Viktor Markun dhe Sebastian Malin, ndryshoi në shtator të vitit të shkuar nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” dhe me vendimin e fundit, dajë dhe nip dalin të pafajshëm.
Ashtu si dy të rinjtë, në qershor të vitit të shkuar doli nga qelia edhe Adiola Lakra, e dashura e Billës, e cila dyshohet se e nxori në pritë në zonën e “Komunës së Parisit”, ku ai u ekzekutua në 11 qershor 2020.
Viktima, Hekuran Billa, kishte vetëm pak kohë që ishte liruar me kusht nga burgu i Fushë-Krujës, pas një vendimi të dhënë nga ish-gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, e dënuar për korrupsion nga SPAK.
Vrasja e tij ndodhi përmes një skenari mafioz, ku Billa është qëlluar me breshëri nga një distancë shumë e afërt, duke mbetur i vdekur në vend në makinën e tij fuoristradë “Benz”.
Sipas organit të akuzës, ai u ekzekutua për shkak të hakmarrjes, pasi Billa në vitin 2006 në Britani, ka vrarë vëllain e Viktor Markut, Prel Markun.
Billa e qëlloi Prel Markun, 22 vjeç, në kokë në një klub nate në “Park Royal” të Londrës më 14 tetor 2006. Ai u shpall fajtor për tre akuza dhe u dënua me burgim të përjetshëm, me një mandat minimal të rekomanduar për 34 vjet.
Ky vendim u njoh nga gjykatat Shqiptare, të cilat vendosën ta dënojnë Billën të deportuar në Shqipëri me 25 vite burgim.
Një pjesë të dënimit, Billa e vuajti në burgun e Fushë-Krujës, ku më pas mundi të përfitojë lirinë me kusht pas një vendimi të firmosur nga ish-gjyqtarja Enkelejda Hoxha.
Pas daljes nga burgu, 40-vjeçari lëvizte lirshëm, çka solli dhe nisjen e planeve të kundërshtarëve të tij për ta ekzekutuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.