Gazeta Si – Që kur fitoi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erion Alibej, një nga personat e akuzuar nga SPAK për shumë vrasje të ndodhura në Elbasan në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, ka dëshmuar për herë të parë në GJKKO.
Ai e nisi rrëfimin e tij duke treguar sesi ishte njohur me vrasësin me pagesë Nuredin Dumani dhe sesi i kishte dhënë 50 mijë euro paraprakisht nga 100 mijë euro të ofruara prej tij për të vrarë të shumëkërkuarin Talo Çela pasi e akuzonte këtë të fundit për vrasjen e vëllait, Endrit Alibej dhe të dajës Arben Dylgjeri në masakran e Bradasheshit në vitin 2018.
“Më 29 dhjetor të vitit 2018, në një atentat që ne si familje e quajmë ‘kamikaz’… (ndërpritet nga avokatët e të pandehurve të tjerë). Me Nuredin Dumanin jam njohur pasi u lirova nga paraburgimi i Elbasanit, nga fillimi i vitit 2020. Arjan Spahiu kishte kontakt me anë të një personi të quajtur ‘Fati’. Kam qenë përdorues i aplikacioneve ‘EncroChat’ dhe ‘Sky EÇ’. Arjani më tha që Nuredin Dumani kishte kërkuar vetë të takohej me mua, sepse gjatë kësaj periudhe kisha përhapur fjalë në rrugë apo në shoqëri, se për Talo Çelën jepja 100 mijë euro për ta vrarë dhe 200 mijë euro për këdo që ma sillte të gjallë. Kjo gjë i kishte shkuar në vesh Dumanit”.
Alibej shpjegoi se ishte përgatitur për takimin e Dumanin në kërkim të ekzekutorëve të familjarëve të tij.
“Për Nuredinin bëra kërkime, kisha çdo informacion. Erdhi te pallati, në një shtëpi me qira që kisha marrë për djemtë e dajës tim. Qëndroi për 2 orë e 48 minuta. E regjistrova bisedën me Nuredin Dumanin. Më shpjegoi se kishte dëgjuar që kërkoja Talo Çelën dhe më tha se në dijeni për këtë ishin edhe Festim Qoli. I thashë: ‘Ok’, dhe më pas nisa bisedën duke i shpjeguar kush janë ekzekutorët e familjarëve të mi” – dëshmoi Alibej.
Më tej, ai tregoi sesi e kishte mësuar Nuredin Dumanin të përdorte aplikacionin “Sky Ecc”, pasi ishin takuar.
“Unë i tregova iternerarin e makinës që ishte qëlluar nga të dyja anët, më tha ka qenë dhe një Dorjan Shkoza dhe ka qenë me makinë tjetër dhe ka zbrit duke qëllu tek ana tjeter, Nuredini kishte hall se Dorjan Shkoza po e ndiqte atë dhe Dashnorin (vëllain e Nuredinit) për ta ekzekutuar. Dumani më tha se kishte probleme vetë me ata, unë i thashë me intereson vetëm Talo Çela, unë e dija që financuesit e urdhëruesit ishin në Dubai, vëllezerit Çopja, miq të hershëm tanët, – vijon Alibej. – Dumani më tha se Talo Çela shkon shumë dhe me Festim Qolin, më tha që për vrasjet, merr gjysmat e lekëve, e pashë që nuk kishte telefon të enkriptur, i shpjegova Arjanit që Nuredini s’ka ‘Sky ecc’ dhe i dhashë nje iphone 6 që kishte të instaluar ‘Sky ecc’, i dhashë 50 mijë euro, e mësova dhe si përdoret ‘Sky ecc”, – shtoi më tej Alibej.
I penduari i drejtësisë tregon se mes autorëve që kishin qëlluar me armë në masakrën e Bradasheshit, ishte edhe vëllai i Nuredinit, Dashnor Dumani.
“I tregoj foton e vëllait të tij, Dashnor Dumanit, që kishte kryer atentatin, ndërsa Talo Çela ishte shofer. Më tha që nuk besonte se ishte vëllai i tij, madje më tha që ka probleme me vëllain. Unë i thashë qëndro besnik, unë vendos dorën në Kuran që nuk e fal gjakun e vëllait tim”.
SPAK e akuzon Erion Alibejn për vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, si edhe Emiliano Ramazani dhe Rigers Runaj.
Ndërkohë, Nuredin Dumani u arrestua mbrëmjen e 29 marsit të vitit 2022 në Fier, pak pasi kishte marrë mjekim për plagosje në shpinë nga tre mjekë në një shtëpi private.
Ai është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i Prokurorisë së Posaçme, duke rrëfyer të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur në janarin e vitit 2024 hetimet për dosjen “Plumbi i Artë” dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për 20 të pandehur.
Mes personave që do të gjykohen, janë Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Erion Alibej, Skerdi Tase dhe 16 të pandehur të tjerë.
Ata janë të dyshuar për një seri vrasjesh, atentate të mbetur në tentativë, apo vjedhje me dhunë, ngjarje të cilat u zbardhën pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Ky i fundit akuzohet si autor i 9 vrasjeve dhe tentativave për vrasje, si dhe tre raste të tjera të vjedhjeve me dhunë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.