Ngjarje

Vrasja e Elson Kalaverit në Itali për gjakmarrje, arrestohen 5 persona mes tyre edhe porositësi shqiptar

Gazeta Si - Dy shqiptarë dhe tre italianë janë arrestuar në Itali si të dyshuar për vrasjen e Elsaon Kalaverit në gusht të vitit 2022 në Sasso Pisano në Piza.

Siç shkruajnë mediat italiane, vrasja është porositur nga një shqiptar në shenjë gjakmarrjeje për vdekjen e vëllait.

“Ai vendosi të merrte një grup vrasësish për të zbatuar atë që quhet “Kanuni” në Shqipëri”, shkruan media "Today".

Arrestimet janë kryer mëngjesin e kësaj të premteje në Castelnuovo Val di Cecina (një fshat në Pisa), Napoli, Casoria (një fshat në Napoli), Pescara dhe Shqipëri.

Autoritetet italiane thonë se ata janë përgjegjës, në role të ndryshme, për vrasjen me paramendim të Elson Kalaverit.

Operacioni i autoriteteve italiane u quajt “Kanuni” dhe erdhi si rezultat i hetimeve të thelluara nga Karabinierët dhe Prokuroria në Piza.

Nga verifikimet u zbulua se vrasja ishte porositur nga Shkelzen Xhelal Keçi, 41 vjeç, vëllai i Gent Keçit, për të marrë hak.

Ai pagoi një grup vrasësish, që në rastin konkret janë tre italianët. Ndërsa shqiptari tjetër i arrestuar ka dhënë informacion mbi vendndodhjen e Kalaverit.

Elson Kalaveri, 36 vjeç nga Thumana, jetonte në provincën e Sienës. Ai u vra më 18 gusht 2022 në një atentat mafioz pranë Sasso Pisano.

Shqiptari po udhëtonte me një makinën e tij, por si pasagjer, kur u ndalua nga një mjet tjetër.

Në këtë moment vrasësit qëlluan të paktën 15 herë mbi të. Shoferi i makinës ku udhëtonte Kalaveri, një tjetër shqiptar, nuk mori dëmtime.

Ai shkoi menjëherë në fshat dhe kërkoi ndihmë. Bashkatdhetarë të tjerë të Kalaverit tentuan t’i japin ndihmën e parë, por ai humbi jetën.

Kalaveri është një emër i njohur edhe për policinë shqiptare. Mbi të gjitha ai ishte përfshirë në një ngjarje në vitin 2014, kur brenda komisariatit të policisë në Mamurras plagosi rëndë Gent Keçin.

“Në Shqipëri, ai u arrestua në vitin 2014 për vrasjen e fqinjit, por mbrojti veten duke thënë se kishte vepruar për vetëmbrojtje”, raportoi media italiane “Today”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë