Drejtësia

Vrasja e Eglantina Bucit, babai dhe i vëllai dënohen me 50 vite burg

Gazeta Si - Babë e bir, Faik dhe Shkëlzen Buci janë dënuar me 50 vite burg, të akuzuar për vrasjen e vajzës së familjes, Eglantina Bucit 10 vite më parë.

Përkatësisht, dënimi është dhënë me 25 vite burg për babanë e Eglantinës, Faikun dhe 25 të tjera për të vëllanë Shkëlzenin për veprën penale vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim.

Gjykata e Tiranës, ka vendosur të pranojë kështu kërkesën e Prokurorisë, e cila në 20 janar të këtij viti kishte kërkuar 50 vite burg për dy të pandehurit.

Eglantina Buci u ekzekutua nga vëllai i saj 10 vite më parë në malin e Dajtit në Tiranë. Familja nuk e pranonte faktin që vajza ishte larguar nga shtëpia dhe bashkëjetonte në zonën e Freskut.

Krimi makabër u zbulua nga një bashkëpunëtor i drejtësisë, shok i Shkëlzen Bucit, që kishte qenë i pranishëm në momentin kur vëllai vrau motrën.

Nga hetimet dhe dëshmia e të penduarit të drejtësisë, plani për vrasjen e të resë e ka thurur babai i saj, Faik Buci. Më pas, Shkëlzeni, vëllai i vajzës, e ka marrë në makinë pranë zonës së Freskut dhe janë drejtuar në Malin e Dajtit.

Pak metra para se të ndodhte vrasja, 23-vjeçarja i ka kërkuar ndihmë bashkëpunotërit të drejtësisë, i pranishëm në vendngjarje që ta shpëtonte nga i vëllai, por ai e qëlloi me një plumb në kokë.

Pas vrasjes, bashkëpunëtori i drejtësisë është kërcënuar me jetë nga Shkëlzen Buci, që të mos tregonte atë që kishte parë.

I penduari i arrestua në korrik të vitit 2017 me akuzën e bashkëpunëtorit dhe 6 muaj më pas, në janar të vitit 2018, ai tregoi vendin ku u vra Eglantina Buci nga vëllai në bashkëpunim me të atin. Për zbardhjen e kësaj ngjarje, ai mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë