Drejtësia

Vrasja e dyfishtë në Elbasan, shkon për gjykim dosja ndaj Ardian Çapjes dhe të tjerëve

Ka kaluar për gjykim dosja në ngarkim të Ardian Çapjas, Elvis Bardhit, Klajdi Dokollit dhe Etien Canit, të cilët akuzohen për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirit në gusht të vitit 2012 në banesën e tyre Elbasan. Për Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun çështja është e ndarë.

Në seancën e kaluar prokurori ka kërkuar bashkimin e çështjes, pasi Florenc Çapja konfirmoi nga Dubai që kishte marrë dijeni për seancat në Gjykatën e Posaçme.

Dy prej tyre kërkuan gjykim te shkurtuar, por referuar Kodit që parashikon burgim të përjetshëm, është e pamundur dhe nuk është pranuar.

Ardian Çapja, akuzohet dhe për krimet “Mbajtja pa leje e arrmëve dhe municionit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, pasi gjatë arrestimit të tij iu gjet dhe sekuestrua në banesë një armë zjarri automatike kallashnikov, 60 fishekë dhe një bajonetë metalike, të cilat i mbante pa leje në banesë.

Ardian Çapjes, 53 vjeç, i janë brë disa herë atentate me armë zjarri, ku ka mundur të shpëtojë, ndërkohë që vetëm së fundmi prokuroria arriti të ngrejë akuzë ndaj tij për vrasjen e dyfishtë të para 9 viteve në Elbasan.

Sa i takon Gentian Beqirit, i cili u ekzekutua në banesë me babain teksa ishte në ‘arrest shtëpie’, dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen e Sokol Çapjes në vitin 2012.

Një krim që shënoi nisjen e një sage hakmarrjeje mes fiseve në Elbasan që në 16 vite ka shkaktuar dhjetëra viktima.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë