Ana e errët

Vrasja e dyfishtë në Laç/ Rrëfimi i dëshmitarit okular dhe i të penduarit Lamaj

I gjithë aksioni për vrasjen e dyfishtë të dy klientëve në hotelin "AA" zgjati vetëm 5 minuta e 46 sekonda. Dëshmitari okular i cili ndodhej në punë ditën kur u vranë dy biznesmenët Paulin Gjergji dhe Bujar Lika, iu shtua fashikullit të hetimit duke treguar se çfarë ndodhi mbrëmjen e 30 majit në hotelin lokal ku ai shërbente si banakier. Shtetasi A.H. rrëfen se bari hotel gjendet në aksin Laç-Mamurras dhe se ai e kishte marrë turnin në orën 18.40. Për dy klientët që dolën të vdekur nga lokali, dëshmitari i përshkruan “rreth orës 19.30 në lokal erdhi një klient rreth 35-40 vjeç, trup mesatar i cili u ul vetëm. Porositi kafe dhe një ujë. Pas rreth 30 minutash në lokal hyri një person rreth 50 vjeç. Ai porosit ujë dhe sëbashku u zhvendosën në një tavolinë në fund të lokalit. Po bisedonin normalisht dhe dukej që njiheshin".

Hoteli "AA", ku ndodhi ngjarja. Poshtë djathtas, Paulin Gjergji

Në dëshminë që Gazeta "Si" disponon, dëshmitari shton se nga banaku kishte vënë re një makinë që kishte ecur indietro dhe më pas hyri në parkim. "Duke menduar se mund të kërkonin ndonjë dhomë hoteli lëviza për tek recepsioni dhe kur po afrohesha pashë dy njerëz të maskuar dhe me rroba “policie” që kishin armë automatiku në dorë", thotë ai. Të armatosurit kanë hyrë në lokal dhe më pas dëshmitari okular, i vetmi i mbijetuar në masakrën ku dy klientët morën plumba vdekjeprurës, është shtrirë instinktivisht për të shpëtuar jetën. "Kam dëgjuar të shtëna në breshëri, por nuk i pashë personat, më pas dëgjova se aty erdhën dy persona të tjerë që shanin me zë të lartë, kuptova që ishin djemtë e klientit”, jep detaje dëshmitari që shpëtoi për fije të perit. Dëshmitari rrëfen gjithashtu se si ndihmoi për transportimin e njërit prej klientëve për t'u dërguar në spital, ndërsa tjetri nuk kishte asnjë shenjë jetë. “Telefonova pronaren, telefonova numrin 129, por doli linja e zënë dhe nuk munda dot të flas me ta. Pas rreth 30 minutave aty mbërriti policia", shpjegon me detaje banakieri, i cili shpëtoi falë intuitës së tij për të qëndruar shtrirë për dysheme derisa vrasësit ikën.

Burime të sigurta të policisë së shtetit i thanë Gazetës "Si" se vrasësit të maskuar, njëri me rroba kamuflazhi, tjetri me tuta të kuqe dhe pelerinë polici, me kapele dhe maska, hynë në parkingun e hotelit në orën 21.50, ku dhe shfaqen duke zbritur nga një mjet Wolksvagen Golf 5. Me kërcënime, dy prej tyre qëndruan në ambientin e jashtëm duke mbajtur djemtë e njërit prej viktimave. "Gjitha çfarë ndodh nga ky moment për pesë minutat e ardhshme i ngjan një skene horror", përshkroi një agjent krimesh sipas të cilit, njëri nga vrasësit shkrepi armën automatike, tjetri e rrëmbeu shokun e plagosur për të mos e lënë në skenën e krimit dhe ashtu të gjakosur pasi kishin lënë pas dy të pajetë, ata u larguan. Më vonë nga videot e sekuestruara dhe një varg veprimesh të tjera operative, të katër të maskuarit u identifikuan si djem të zonës, shokë me njëri-tjetrin, ku kryesori i tyre ishte Eduart Lamaj. Por si ai, ngarkesa penale kanë edhe tre të kërkuarit e tjerë, Klaudio Përkola, Olti Vlashi dhe Ilir Lika.

Rrëfimi i të akuzuarit për vrasje

Eduart Lamaj është 30 vjeç. Pasi u arrestua nga hetimet operative që zbuluan se pas krimit ai po kurohej në një klinikë private, i riu foli. “Disa të vërteta i ka thënë, disa të tjera sikurse motivet se përse hynë në biznes, nuk janë thënë ende”, shtoi një burim i hetimit të Krimeve të Rënda pranë policisë qendrore. Në dëshminë e vendosur në dispozicion Gazetës "Si", Lamaj pranon gjithçka, duke e justifikuar si një hakmarrje e ndërmarrë prej tij, për të shkatërruar biznesin e A.A., pasi ky i fundit aktualisht në burg, 13 vite më parë i kishte vjedhur rreth 4 mijë euro. Por ky motiv ngjan i pabazuar dhe hetuesit e policisë këmbëngulin që shënjestra e vrasësit ishin pikërisht dy klientët që po pinin kafe dhe po flisnin për çështjet e tyre. "Isha në shtëpi në lagjen numër 4 në Laç, e cila është në afërsi të autostradës. Mora në telefon Klaudion, Oltin për t'u takuar e për të pirë ndonjë cigare. Në vendin ku u takuam erdhi edhe një shok tjetër që ka shtëpinë afër, Iliri", rrëfen i akuzuari. Sipas tij, ata morën Golfin e tij dhe bënë një xhiro dhe më pas u kthyen në shtëpinë e tij. “Ndërkohë ata qëndruan jashtë shtëpisë, unë hyra brenda. Mora dy kapuçë, një të zi dhe një gri. Përgatita një mushama të zezë me shkrimin "policia". Këtë e bëra përmes një cope kartoni të prerë në këtë formë dhe në ngjyrë të bardhë me spraj", thotë Lika. Pas përgatitjes së këtyre veshjeve, Eduart Lamaj është rikthyer tek shokët dhe u ka kërkuar atyre që të shkonin në lokalin e A.A. dhe t'i largonin klientët e t'i shkatërronin biznesin. 30-vjeçari kujton një konflikt të vjetër me pronarin e hotelit që, sipas tij, lidhet me një vjedhje që ai i kishte kryer në 2007 për një shumë në euro. “Pasi u propozova planin shokëve, ata pranuan. Në momentin që u nisëm u përgatitëm, unë vesha mushamanë e zezë që lexon policia, një palë tuta të kuqe, një bluzë të zezë me mëngë të gjata. Ilir Lika veshi një kapuç të zi që ia dhashë unë, një jelek me ngjyrë të gjelbër, të cilin e kishte veshur më parë si dhe një palë pantallona ushtarake. Oltioni veshi një kapele sportive dhe kishte veshur një palë xhinse blu. Shoku tjetër Klaudio kishte veshur një palë tuta sportive me ngjyrë të errët dhe një bluzë kamuflazhi”, thotë ai.

https://www.youtube.com/watch?v=-QGBllsX0-U

I akuzuari për vrasje kujton se brenda gjendej kamerieri. “Sapo ndaluam në parking pamë edhe një makinë tjetër që kishte dritat ndezur. Mora automatikun dhe u nisa në pjesën e brendshme të lokalit. Hyra brenda dhe me sy po kërkoja kamerierin. Por menjëherë dëgjova që në drejtimin tim u qëllua me armë zjarri, unë pashë vetëm flakën e shkrepjes së armës. Nuk pashë më nëse kishte apo jo persona të lokal dhe nuk kisha asnjë dijeni që në lokal kishte njerëz”, ka rrëfyer ai. I dyshuari për vrasje në rrethana cilësuese pretendon se ka qëlluar për vetëmbrojtje. "Një alibi kjo që nuk përputhet aspak me çfarë tregojnë kamerat e sigurisë", tregoi një burim tjetër i Policisë së Shtetit. Ai pretendon se kur shokët e lanë të plagosur në shtëpinë e tij, ai pa në televizor se kishte vrarë dy persona, aty ka mësuar gjithashtu edhe emrat e tyre Bujar Lika dhe Paulin Gjergji. “I njihja, por nuk kam pasur ndonjë njohje të ngushtë me ta”, pohon 30-vjeçari, i cili dyshohet se pavarësisht çfarë këmbëngul ai, hyri në këtë objekt për të kryer vrasjen dhe jo për të shkatërruar biznesin. I mbetur i plagosur në vendngjarje, 30-vjeçari rrëfen se në shtëpi për disa ditë me radhe ai piu antibiotikë, ndërkohë që u kishte thënë familjarëve që t'i digjnin rrobat. "Me vëllain u nisëm drejt spitalit më datë 22 qershor, aty pa hyrë ende makina, u takuam me një person me kaçurrela, që ishte mjek dhe që më pa plagën. E lamë pasdite që të shkonim në një spital privat dhe të kryenim ndërhyrjen”, rrëfen Lamaj. I dyshuari kujton se plani për ta transportuar atë ishte realizuar përmes një makine me qira dhe se sapo kishte mbërritur në klinikën private, u kishte thënë mjekëve se ishte dëmtuar me leva hekuri. Siç shtohet në dosje, kur ai hapi sytë, mbi kokë pa policinë

Vijon….

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë