Rend dhe Ligj

U ekekutua për 30 mijë euro, dyshohet se vëllezërit Xhani porositën vasjen e Bujar Nasufit

Gazeta Si – Ekzekutimi i Bujar Nasufit në Tiranë në 12 janar 2025 në zonën e Selitës, dyshohet se është porositur nga dy vëllezër, Voltan dhe Jurgen Xhani.

Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, motivi ka të bëjë me një përplasje midis familjeve Nasufi dhe Xhani për shkak të një prone.

Vëllezërit Xhani nuk janë emra të panjohur për policinë, pasi dyshohen të jenë të përfshirë dhe në vrasjen e Elis Roshkodolit, në gusht të vitit 2024 në Shkodër.

Ata janë arrestuar nga forcat RENEA në maj të këtij viti, në një restorant në Gjirin e Lalzit, nga operacioni policor i koduar “Enigma”, nën shoqërinë e personave të tjerë të botës së krimit.

Gjithnjë sipas burimeve, babai i Bujar Nasufit i kishte shitur një pronë familjes Xhani në zonën e Selitës.

Trualli i banesës ishte ende në emër të Nasufit dhe në momentin e shpronësimit të tokës nga ndërtimi i Unazës së Madhe, paratë prej rreth 30 mijë eurosh janë përvetësuar nga familja Nasufi dhe jo nga familja Xhani, edhe pse këta të fundit e kishin blerë më përpara këtë pronë.

Kjo gjë ka ndezur një konflikt të hapur mes dy familjeve.

Hetimet e deritanishme kanë çuar në identifikimin e dy personave që dyshohet se porositën atentatin: vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani.

Ata akuzohen se urdhëruan eliminimin e 56-vjeçarit, i cili u ekzekutua me armë zjarri teksa po parkonte makinën pranë banesës së tij.

Ekzekutimi mendohet të jetë kryer nga një vrasës me pagesë, i cili kishte maskuar identitetin si shpërndarës picash.

I veshur me rroba të zeza, ai qëlloi disa herë me armë ndaj Nasufit, ndërsa më pas dogji motorin dhe armën e krimit, që u gjetën nga policia. Hetuesit vijojnë ende hetimit për të zbuluar ekzekutorin.

Vëllezërit Xhani nuk janë emra të panjohura për blutë. Edhe pse dyshohen si porositës të ekzekutimit të Bujar Nasufit, precedenti i tyre kriminal daton që prej një viti më parë, atë të vrasjes së Elis Roshkodolit.

E gjitha ka ndodhur më 23 maj të këtij viti, kur efektivët e RENEA-s ndërhynë teksa Xhevdet Plaku së bashku me gjashtë persona të tjerë (mes tyre dhe vëllezërit Xhani), teksa të gjithë po darkonin në një restorant në Gjirin e Lalzit.

Voltan Xhani cilësohet nga blutë si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai akuzohet nga SPAK për sigurimin e kushteve për vrasjen e Elis Roshkodolit, teksa ndodhet ende nën masën e sigurisë “arrest në burg” me vendim të GJKKO-së.

E njëjta masë sigurie u la dhe për të vëllain, Jugert Xhanin.

Bujar Nasufi u ekzekutua mbrëmjen e 12 janarit në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën rreth orës 20:40, në vendin e quajtur “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli” në Tiranë.

Ai u qëllua me breshëri automatiku sapo mbërriti në vendparkimin pak metra larg banesës së tij. Autori e ka pritur Nasufin në afërsi të banesës dhe më pas e ka vrarë me armë zjarri në sy të bashkëshortes së tij. Kjo e fundit ishte brenda automjetit në momentin kur autori e qëlloi shënjestër duke e lënë të vdekur në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë