Gazeta Si - Hetimet për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj janë përqendruar për momentin në Gjadër, aty ku dyshohet se autori i vrasjes humbi gjurmët.
Pikërisht në këtë zonë jo shumë larg vendit ku ndodhi krimi në Shëngjin, policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa.
Sipas Top Channel, mësohet se policia ka arritur të gjejë në një banesë disa veshje të djegura, të cilat dyshohet se i përkasin autorit që u largua me motor pas ngjarjes.
Mbetjet e rrobave janë sekuestruar dhe do të dërgohen në laborator për ekzaminime të mëtejshme, ku shpresohet të zbulohen gjurmë ADN-je. Paraprakisht mësohet se vrasja dyshohet se ka ndodhur për gjakmarrje.
Ka dyshime që vrasësi i biznesmenit lezhjan në Shëngjin ka qenë i vendosur për të kryer ekzekutimin në momentin më të përshtatshëm, ku e ka pritur disa ditë objektivin e tij.
Ai ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes 8 orë para vrasjes. Gjatë kësaj kohe autori ka qëndruar në një pallat në ndërtim nga ku ka dalë vetëm pasi është njoftuar se ishin krijuar kushtet e përshtatshme për kryerjen e ekzekutimit në lokalin “Coral”.
Pamjet e kamerave të sigurisë në pedonalen e Shëngjinit, kanë fiksuar autorin me të njëjtin mjet dhe me të njëjtën veshje edhe në datat 17 dhe 18 prill.
Ai ka qëndruar pa lëvizur për orë të tëra para lokalit “Coral” në pritje të momentit kur shënjestra i tij do të ishte vetëm.
Momenti i përshtatshëm u krijua rreth orës 13.30 të datës 19 prill kur Ardian Nikulaj u ul në një tavolinë vetëm.
I dyshimtë për policinë ishte një shtetas anglez i prezantuar si turist, i cili ka qëndruar në Shëngjin nga data 14 deri më 19 prill. Fill pas vrasjes ai është larguar nga Shqipëria, ndaj dhe dyshohet si bashkëpunëtor në vrasje.
Në kamerat e pallatit në ndërtim, i cili shfrytëzohet vetëm në katin përdhes për parkim, shfaqet për disa minuta dhe turisti anglez, por policia nuk është e bindur nëse është realizuar një takim mes tij dhe vrasësit që ka qëndruar 8 orë në atë godinë.
Dyshimet e policisë shtohen edhe për faktin se gjatë 5 ditëve të qëndrimit të tij në Shëngjin, turisti ka qëndruar me kapele dhe ka qenë i kujdesshëm për të mos lënë pas gjurmë të tij.
Ai ka arritur deri aty sa ka mbledhur edhe bishtat e cigareve që konsumonte. Policia shqiptare është në pritje të të dhënave nga homologët anglezë në lidhje me personin që dyshohet si bashkëpunëtor, i cili u u largua nga Rinasi drejt Britanisë vetëm pak orë pas vrasjes.
Policia dyshonte së në fshatin Kukël të Gjadrit ku autori humbet gjurmët, mund të ishte transportuar nga një mjet "Land Rover Discovery", por pas 2 ditësh verifikime kjo pistë ra poshtë.
Një javë nga ngjarja e rëndë, grupi hetimor nuk ka ende një pistë konkrete hetimi, pasi biznesmeni 50-vjeçar, krahas problemeve të hasmërisë që e kanë zanafillën në vitin 1997, mund të ketë pasur dhe probleme të tjera që lidhen biznesin, apo dhe jetën politike, pasi ishte një person me influencë në zonën e Lezhës.
Biznesmeni Ardian Nikulaj u vra më 19 Prill në lokalin e tij në Shëngjin nga një persona i veshur me kokore, jelek fosforeshent. Vrasësi zbrazi 7 plumbat e pistoletës duke lënë të vdekur 50-vjeçarin Nikulaj. Më pas ai u arratis me motor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.