Dosje

Vrasja e Behar Sofisë, burg për katër autorët e dyshuar

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për katër të arrestuarit, si të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Behar Sofia.

Ata janë: Ernejt Shyti 23 vjeç, Xhuljano Visha 28 vjeç, Leonard Xhixha 30 vjeç dhe Skënder Vathi 54 vjeç.

Mësohet se Shyti, autori kryesor i dyshuar për ekzekutimin e biznesmenit, ka thënë se nuk dëshironte të jepte shpjegime para gjykatësve, edhe pse mw herwt ka pranuar krimin.

Të dyshuarit mohojnë lidhjen me ngjarjen

Ndërkohë që tre bashkëpunëtorët e tij, kanë mohuar akuzat për “vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim” si dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Skënder Vathi, i cili sipas dëshmisë se 23-vjeçarit Ernejt Shyti është organizatori i vrasjes së Behar Sofisë dhe i ka premtuar 50 mijë euro të riut, gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, ka pretenduar se nuk ka lidhje me vrasjen dhe se nuk e njeh Shytin.

Sipas policisë, Shyti është personi që shkrepi armën dhe la të vdekur biznesmenin në zonën e Piramidës.

Ai ka pranuar krimin, ndërsa më 13 mars, i riu u dërgua sërish në vendngjarje, pasi deklaroi se armën e kishte hedhur në lumin Lana.

Polumbarët e Renea-s nisën kërkimet, por pa mundur ta gjejnë.

Provat më të forta që ka gjykata janë përgjigjet e ADN-së, kamerat e sigurisë dhe përgjimet e prokurorisë.

Ekzekutimi i biznesmenit dhe si u kap autori i dyshuar

Sipas dosjes hetimore, paraditen e 25 shkurtit, sapo 66-vjeçari Behar Sofia ka zbritur nga banesa e tij, është mbajtur në vëzhgim nga Leonard Xhixha, i cili me celular ka lajmëruar Ernejt Shytin për t’u bërë gati për finalizimin e vrasjes.

Goditja është kryer në kohën kur Behar Sofia ka dalë në trotuarin ngjitur Lanës.

23-vjeçari e ka ndjekur nga mbrapa, duke e qëlluar me dy plumba, dhe më pas ka marrë rrugën poshtë urës së Lanës, aty ku një ditë më parë kishte lënë biçikletën, me të cilën u largua drejt kodrave të Liqenit, me destinacion final Terminalin e Autobusëve.

Gjatë largimit nga skena e krimit, autori ka hedhur kapelën, maskën si dhe një bluzë në afërsi të një koshi te mbeturinave.

Këto prova janë gjetur nga policia bashkë me telefonin ne xhepin e bluzës që kishte veshur autori ditën e krimit.

Autori i dyshuar i vrasjes së Sofisë, i identifikuar nga policia shqiptare, është kapur në Podgoricë, Mal të Zi, për t’u ekstraduar menjëherë drejt Shqipërisë.

Dyshimet pse u vra Sofia

Sipas hetimeve, Behar Sofia, i cili konsiderohet nga policia si “baron i drogës”, është vrarë për shkak të konflikteve të hershme për trafikun e heroinës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë dhe më pas në vendet e BE.

Policia dhe Prokuroria është vënie në ndjekje të një grupi shumë të fuqishëm kriminal me të cilin Behar Sofia, edhe pse ishte tërhequr nga aktiviteti kriminal dhe mbante një profil të ulët publik kishte hesape të pambyllura.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë