Ngjarje

Vrasja e avokatit grek trazon botën e krimit shqiptar në Athinë e Vlorë

Vrasja e avokatit grek, Mihal Zafiropulos në zyrën e tij në Athinë dy vite më parë vazhdon të trazojë botën e krimit në Shqipëri dhe Greqi. Me pak orë distancë, dy emra të dyshuar nga autoritetet greke si pjesë e grupit që ekzekutoi avokatin përfunduan në faqet e para të kronikës së zezë.

Në Shqipëri u plagos rëndë shtetasi Eno Mata, gjatë një atentati në Vlorë, ndërsa në Athinë u arratis nga burgu një 22-vjeçar shqiptar, i dyshuar si pjesë e grupit të pagëzuar nga grekët si “mafia e burgut të Koridhalosit”.

Një 22-vjeçar shqiptar është arratisur nga burgu u Avlonës në veri të Athinës, duke përfituar nga një pakujdesi e autoriteteve vendase. Bashkë me të riun shqiptar, identetin e të cilit policia greke nuk e bën me dije, është arratisur edhe një shtetas sirian.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në momentin që në burgun në fjalë po kryheshin punime për riparimin e rrjetit elektrik. Sipas mediave greke, 22-vjeçari shqiptar dhe shtetasi sirian kanë kapërcyar një pjesë të murit ku ishin hequr telat me gjemba.

Shqiptari akuzohej si pjesë e një bande grabitësish dhe sipas mediave greke ai është transferuar së fundmi në burgun e Avlonës. Më parë ai ka qenë në burgun famëkeq të Koridhalosit dhe dyshohet se ishte i pranishëm në momentin e ekzekutimit të Arben Bakos. Nga hetimet e palës greke, nuk rezultoi se ai ka marrë pjesë në goditjen e viktimës.

Mediat greke shkruajnë se i riu shqiptar mendohet se është pjesë e bandës së Klodian Lekocaj në burgun e Koridhalosit, ndaj u transferua për shkaqe sigurie. Lekocaj akuzohet nga autoritetet greke si drejtuesi i një bande të rrezikshme me aktivitet brenda dhe jashtë burgut të Koridhalosit dhe urdhëruesi i disa ekzekutimeve në qelitë e këtij burgu, por edhe jashtë tij.

Burgu i Koridhalosit, Greqi

Lekocajt i faturohet nga mediat në Athinë edhe një rol protagonist në vrasjen e avokatit grek, Mihal Zafiropulos. Vetë Klodian Lekocaj dhe familjarët e tij i mohojnë akuzat. Ata thonë se Klodiani nuk ka lidhje me akuzat në fjalë dhe se po përdoret për të fshehur të tjerë persona të fuqishëm të mafias greke për t’iu shmangur drejtësisë.

Avokati Mihal Zafiropulos u vra në zyrën e tij në vjeshtë të 2017. Si autorë të ngjarjes autoritetet greke arrestuan më vonë një grup prej tetë shqiptarësh dhe pesë grekësh, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Mes të akuzuarve për ngjarjen në fjalë ishte edhe shtetasi Eno Mata. 32-vjeçari shqiptar ishte shënjestër e një atentati këtë të hënë në Vlorë, ku mbeti i vrarë 22-vjeçari Sotiraq Mëhilli.

Avokati Mihal Zafiropulos, i vrarë në 2017 në Greqi

Autorët kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të dy të rinjve në momentin që këta të fundit po udhëtonin me motocikletë në drejtim të banesave të tyre.

Sipas policisë, personi i plagosur Eno Mataj që dyshohet të jetë edhe shënjestra e atentatit kishte pak më shumë se 6 muaj i kthyer nga Greqia ku edhe ishte i dyshuar e dënuar për grabitje. Mata mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë, ndërkohë që pak më vonë, policia gjeti mjetin e djegur me të cilin kishin lëvizur autorët. Brenda mjetit u gjetën edhe dy armët kallashnikov, ndërkohë që rezulton se si makina, ashtu edhe targat e saj janë vjedhur.

Mata ishte kthyer prej pak muajsh në Shqipëri, ku i është transferuar edhe dosja greke për vrasjen e avokatit Zafiropulos. I riu mohoi akuzat në dëshminë e parë të dhënë për autoritetet, duke deklaruar se po e ngatërronin me një tjetër person.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë