Gazeta Si - Një nga pjesëtarët e grupit të vrasësve të dyshuar të biznesmenit Ardian Nikulaj i shpallur në kërkim nga Shqipëria, është lokalizuar në Britani, por gjykata angleze për ekstradimet refuzon ta arrestojë.
Burime nga grupi hetimor, konfirmojnë se shtetasi Harry Simson, është lokalizuar në Britaninë e Madhe dhe është kërkuar prangosja e tij.
Por gjykata ka refuzuar të firmosë urdhër-arrestin, me arsyetimin se nuk krijohet bindja e arsyeshme që të ketë pasur rol në ekzekutim.
Kjo ka ardhur për shkak se autoritetet në Angli nuk kanë në duar prova të mjaftushme për të faktuar përfshirjen e tij në krim.
Një ditë më parë, dy prokurorë britanikë kanë mbërritur në Shqipëri për t’u njohur me dosjen hetimore dhe me provat që përfshijnë 4 personat e arrestuar në Angli, si të dyshuar për vrasjen e Ardian Nikulajt në Lezhë.
Hetuesit anglezë kanë zhvilluar takime me drejtues të Prokurorisë së Lezhës dhe grupin hetimor në lidhje me këtë çështje.
Sakaq, këtë të premte, katër personat e arrestuar nga policia, dolën para gjykatës së specializuar për ekstradimet me disa kërkesa.
Përkatësisht Edmond Haxhia, Steven Hunt dhe Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman kërkojnë liri me kusht kundrejt bllokimit të pasaportës, monitorimit elektronik, paraqitjes çdo javë në një stacion policie dhe garancive pasurore.
Por nga ana tjetër, organi i akuzës në Britaninë e Madhe kërkon të mos pranohen kërkesat e këtyre shtetasve, duke insistuar në ekstradimin e tyre për t’u përballur me drejtësinë shqiptare.
Për ngjarjen në 19 prill në resortin “Koral” në Shëngjin, mbetet në kërkim Ruben Saraiva, shtetasi portugez që për autoritetet shqiptare është ekzekutori i Nikulajt.
Për të ka dyshime se vijon të jetë në Greqi, pasi nuk ka asnjë dalje jashtë shtetit fqinj të regjistruar në sistemin e pikave doganore me ndonjë shtet tjetër.
Sipas Prokurorisë shqiptare, Edmond Haxhia ishte porositësi dhe organizatori i atentatit, që dyshohet se ka ndodhur për motive gjakmarrjeje.
Portugezi, Ruben Saravia ishte ekzekutori i planit, personi i shfaqur me motor dhe jelek fosforeshent i cili qëlloi për vdekje me 7 plumba biznesmenin Ardian Nikulaj, e ndërsa 4 britanikët e tjerë kishin rolin e vëzhguesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.