Gazeta Si – Portugezi Ruben Saraiva, vrasësi i dyshuar i biznesmenit Ardian Nikulaj, kërkon lirinë me pretendimin se është i pafajshëm, duke mohuar të jetë ai personi që ekzekutoi biznesmenin nga Lezha.
Nën masa të rrepta sigurie, portugezi ka dalë para Gjykatës së Lezhës me kërkesë të mbrojtjes për ndryshim mase sigurie ose paraqitje e provave nga prokuroria.
LEXO EDHE:
– Akuzohet se vrau Nikulajn, burg për portugezin Ruben Saraiva: Nuk kam lidhje. Erdha për pushime
– Foto, birra dhe bilardo në hotel para vrasjes së Nikulajt. Lëvizjet e britanikëve, kur erdhën dhe ku u strehuan
Avokati i tij Kujtim Cakrani tha se kishin kërkuar nga gjykata ndryshimin e masës së sigurisë, ose paraqitjen e provave të reja nga prokuroria. Sipas tij, dosja Metamorfoza 3 e SPAK, zbuloi fakte të tjera ku prokuroria duhet të hetojë.
“Prokurori nuk kishte asnjë provë, fakt tjetër, për të sjellë. Nuk ka prova reale. Ne i kërkuam gjykatës të zgjerojë hetimet sepse nga dosja Metamorfoza 3 kanë dalë emra të tjerë, organizime të tjera në lidhje me organizimin e vrasjes së Nikulajt. E orientuam prokurorin dhe gjykatën të zgjerohen hetimet sepse Saraiva po mbahet në burg kot”, tha mes të tjerash avokati.
Nga ana e saj, prokuroria mësohet se ka kërkuar nga Maroku dërgimin e sendeve personale të 28-vjeçarit Saraiva, që akuza beson se mund të ndihmojnë në provimin e fajësisë së portugezit.
Ardian Nikulaj u ekzekutua me armë zjarri më 19 prill 2023, teksa ndodhej brenda ambienteve të lokalit të tij në Shëngjin.
Në vrasjen e tij akuzohen si të përfshirë 5 persona, porositësi Edmond Haxhia dhe 3 britanikë, të cilët janë ndaluar në Angli dhe ndodhen në proces ekstradimi.
Ndërsa personi që qëlloi, u identifikua nga policia si Ruben Saraiva, i cili arriti të largohej jashtë vendit pas ngjarjes, për t’u arrestuar në Marok. Prej andej u ekstradua në vendin tonë në dhjetor 2023.
Ndaj tij rëndojnë akuzat “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




