Ngjarje

Vrasja e 41-vjeçarit në Fier, mes palëve pati shkëmbim zjarri. Autori ishte me vëllain kur qëlloi nga makina

Gazeta Si - Një ditë pas vrasjes së Erjon Javorit në Fier (emri i tij fillimisht u raportua si Elton), policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes. Mes autorit të krimit Agim Gashi dhe viktimës, ka pasur shkëmbim zjarri, ku një plumb i mori jetën 41-vjeçarit Javori.

Një konflikt për motive të dobëta dyshohet se ka qenë shkaku i kësaj ngjarjeje mes Gashit dhe Javorit.

Sipas policisë, ditën e djeshme në lagjen “16 Prilli”, Fier, nga një automjet tip “Benz”, nga krahu i pasagjerit, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Fuoristradë” e cila drejtohej nga shtetasi Erion Javori 41 vjeç.

Pas këtij veprimi, Javori, ka qëlluar disa herë me armë zjarr pistoletë në drejtim të automjetit tip “Benz”, por si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ai ka humbur jetën.

Po ashtu, policia thotë se në makinën tip “Benz”, përveç 35-vjeçarit Agim Gashi, ndodhej edhe vëllai i tij, Kreshnik Gashi, të cilët janë shpallur në kërkim.

“Nga hetimet rezultoi se autorët që udhëtonin me automjetin tip “Benz” janë shtetasit Agim Gashi, 35 vjeç dhe Kreshnik Gashi 33 vjeç(vëllezër), të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, në afërsi të automjetin tip “Fuoristradë”, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me nr trupi të paidentifikuar e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”.

Sa i përket motiveve, policia sqaron se dyshimet kryesore bien mbi një konflikt për motive të dobëta të nisur kohë më parë.

“Motivi i kësaj ngjarjeje kriminale dyshohet një konflikt i nisur disa kohë më parë midis shtetasit Agim Gashi dhe shtetasit Erion Javori për motive të dobëta”, - sqaron policia.

Mësohet se viktima Erion Javori, i cili u ekzekutua pak metra larg shtëpisë, dikur kishte qenë mik me autorin, Agim Gashi.

Por në rrethana ende të paqarta, miqësia mes tyre është krisur dhe kanë nisur debatet.

Ata kanë pasur një konflikt rreth dy vite më parë. Pas rikthimit të Javorit nga Gjermania, kanë pasur një tjetër debat mes tyre.

Familja Gashi dhe Javori kanë pasur një marrëdhënie krushqie mes personave të afërt dhe ka dyshime se kjo martesë është prishur dhe nga këtu kanë nisur konfliket.

Agim Gashi dhe Kreshnik Gashi, akuzohen si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë