Gazeta Si – Gjykata e Lartë do të shqyrtojë më 4 qershor rekursin e ish-Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda që kërkon rikthimin e dënimit me burg përjetë të Dritan Dajtit, autorit të vrasjes së 4 punonjësve të policisë në gusht të vitit 2009 gjatë një operacioni për kapjen e tij në Durrës.
Relator i çështjes do të jetë Sandër Simoni, ndërsa gjyqtarë do të jenë Medi Bici dhe Ilir Panda. Në vitin 2019, disa gjyqtarë të deleguar nga rrethet prishën vendimin e burgimit të përjetshëm të dhënë për Dajtin.
Tre gjyqtarët ishin pjesë e trupës prej pesë gjyqtarësh, që në shkurt 2019 vendosën në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda që t’i njohin Dritan Dajtit të drejtën e gjykimit të shkurtuar, pavarësisht se ky i fundit kishte vrarë katër efektivë policie në vitin 2009.
Njohja e kësaj të drejte i ulte automatikisht dënimin me një të tretën, por në rastin e Dritan Dajtit, që nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ishte dënuar me burgim të përjetshëm, ia konvertonte dënimin me 25 vite burg.
Dritan Dajti prej vitit 2009 qëndron në paraburgim, ndërsa seancat në ngarkim të tij janë zvarritur vazhdimisht.
Ai ka kaluar 10 vite në qeli që prej arrestimit nga policia për vrasjen e katër efektivëve specialë, të cilët shkuan për ta arrestuar.
Dritan Dajtit i mbetet të kalojë pas hekurave edhe rreth 4 vite burg, duke llogaritur kohën e paraburgimit, që vlerësohet me 1.5 ditë burg.
Tre gjyqtarët në fjalë ishin thirrur nga gjykatat e apelit të rretheve për të shqyrtuar dosjen e Dritan Dajtit, pasi të gjithë gjyqtarët e Krimeve të Rënda e kishin kaluar nëpër duar këtë dosje.
Skënder Damini dhe Petrit Aliaj u thirrën nga Gjykata e Apelit e Vlorës, ndërsa Aleks Nikolli nga Gjykata e Apelit e Shkodrës.
Ndaj gjyqtarëve nisi një hetim mbi dyshimet për korrupsion, duke iu kontrolluar edhe banesat, por më pas hetimi u pushua për mungesë provash.
Rekursin e ka depozituar Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka kërkuar nga Gjykata e Lartë të prishë vendimin e Apelit që dënon Dajtin me 25 vite burgim dhe lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë, që e dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen e 4-fishtë të policëve dhe 1 plagosje.
Në 7 gusht 2009 në lagjen nr.13 në zonën e plazhit “Iliria”, Durrës, mbetën të vrarë punonjësit e Grupit të Operacioneve Speciale në Policinë e Shtetit: Fatos Xhani, 48 vjeç, Altin Dizdari, 33 vjeç, Saimir Duçkollari, 32 vjeç dhe Kastriot Fesko, 40 vjeç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.