Ngjarje

Vrasja e 3 grave në Tiranë, protestë para Ministrisë së Drejtësisë: Nuk duam të jemi viktimat e radhës

Nga Gazeta Si- Pas vrasjes së trefishtë në Tiranë një ditë më parë ku Dan Hutra ekzekutoi me armë tre gra, u zhvillua një protestë para Ministrisë së Drejtësisë.

Me thirrjet ‘Siguri për vajzat dhe gratë’ një grup protestuesish ngritën një sërë pyetjesh se pse Dan Hutra lihej i lirë, pas gjithë këtyre krimeve që kishte bërë.

“Duhet mobilizim i të gjitha ministrive të shtetit për një platformë kombëtare ndaj femincidit. Sot duhet të reagojmë sa më shpejt para se tu vijë radha, fëmijëve, shoqeve, motrave tona. Do të marshojmë edhe për 8 mars për një jetë të drejtë dhe pa dhunë sepse i duam të gjitha gratë e gjalla. Nuk duam ti vajtojmë më gratë e kësaj republike”, u shpreh një nga protestueset.

“Lulet e festave po na i kthejnë në lule morti. Po na vrasin dhe mesazhi po na bëhet i qartë nga institucionet që e kanë bërë të qartë duke ofruar lehtësira për kriminelët. Mjeti i vetëm është vetëmbrojtja. Të qarkullojmë me thika në brez në vend të telefonave”, u shpreh një tjetër e indinjuar.

Në fund u lajmërua edhe se protesta do të vazhdojë më datë 8 mars, në orën 12:00 tek Sheshi Skënderbej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë