Ngjarje

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani te ‘Fan Noli’, Gjykata e Tiranës kalon për gjykim autorin e dyshuar

Gazeta Si – Gjykata e Tiranës, ka kaluar për gjykim pasditen e kësaj të enjteje, dosjen ndaj Mario Përlleshajt, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Martin Cani në nëntor të vitit të kaluar.

Në seancën paraprake, prokuroria relatoi mbi hetimet e ndjekura, ku përballë kishte familjarët e viktimës 14-vjeçar dhe shokun e tij që mbeti i plagosur, Luis Meçen, ndërsa nga krahu tjetër, autorin e dyshuar Mario Përlleshaj.

Duke pranuar kërkesën e prokurorisë, gjyqtarja Migena Laska, rrëzoi kërkesën për gjykim të shkurtuar të bërë nga 14-vjeçari.

Rreth një muaj më parë, prokuroria mbylli hetimet dhe çoi për gjykim Përlleshajn me akuzën “Vrasje në rrethana cilësuese” ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave.

Vendi ku ndodhi ngjarja pranë shkollës “Fan Noli”

Në sallë psikologia Lindita Hoxha është shprehur se është dakord që të vijojë gjykimi i zakonshëm për shqyrtim me të detajuar të çështjes në themel.

Të pranishëm para Gjykatës së Tiranës, ishin edhe prindërit e Martin Canit, të shoqëruar nga familjarë të tyre. Me ta ka qenë edhe Luis Meçe, 14-vjeçari i cili mbeti i plagosur, ndërkohë që përpiqej t’i dilte në krah shokut të tij Martinit në sherrin me adoleshentët e tjerë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

Muajin e kaluar, përmes avokatit mbrojtës, Mario Përlleshaj dorëzoi kërkesë në Gjykatën e Apelit për zëvendësim mase sigurimi personal, por pas shqyrtimit, kërkesa u rrëzua.

Vrasja e Martin Canit ndodhi më 18 nëntor 2024 rreth 200 metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku si viktima dhe autori ishin nxënës.

Autori i dyshuar i ngjarjes Mario Përlleshaj (majtas) dhe viktima, Martin Cani

Mes tyre dyshhet se kishte pasur një sherr të nisur në rrjetet sociale që më pas ishte zhvendosur në shkollë.

Pavarësisht se oficerja e policisë dhe mësuesit mendonin se sherri mes të miturve ishte zgjidhur, pasi i kishin ballafaquar me njëri-tjetrin, ngjarja mori përmasa tragjike.

Të dy djemtë u takuan pas mësimit. Mario Përlleshaj i shoqëruar nga disa shokë të tij, dyshohet se mbante në dorë një thikë, ndërsa për t’i ardhur në ndihmë Martinit, ndërhyri edhe shoku i tij Luis Meçe, i cili mbeti i plagosur nga goditjet e mjetit prerës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë