Dyshimet se edhe në vrasjen e Armando Dumanit dhe Erigers Mihasit janë angazhuar vrasës me pagesë, shtojnë bindjen se në tregun e krimit, përherë e më shumë grupet kriminale po paguajnë për të eliminuar rivalët e tyre.
Kjo metodë, në mënyrë të veçantë sipas policisë, po përdoret në vrasje të nivelit të lartë, gatë përplasjeve të organizatave dhe grupeve të organizuara, të cilat për të qenë të sigurta për ekzekutimin, urdhërojnë dhe paguajnë. E tillë duhet të jetë jo vetëm vrasja e dyfishtë në Tiranë, por sipas burimeve të Gazetasi.al, disa nga vrasjet më të bujshme gjatë këtij viti, si vrasja e Bledar Birçajt në Vlorë, e Delon Troqes, Çajup Selimit, Gramoz Memajt, Ardian Çollakut dhe Lulzim Bitrit, por edhe ato të ndodhura në Laç dhe Fier.
Këtë pistë e hedh njëri nga burimet në departamentin e hetimit të krimeve të rënda për Gazetasi.al, me bindjen dhe indicien që bazohet në mënyrën se si janë kryer ekzekutimet. Po t’i vëresh të gjitha këto atentate, janë kryer njësoj, dhunshëm me armë të llojit kallash dhe automatik, mjetet janë të vjedhura dhe targat po ashtu.
“Nuk stepen asesi nga prania e kamerave të sigurisë dhe përmbi të gjitha ndjekin me përpikmëri një plan”, – përshkroi për Gazetasi.al njëri nga burimet që trajton ngjarje të tilla. Por autoritetet kanë dyshime se vrasësit me pagesë, të këmbyer midis grupeve, nuk janë vetëm nga brenda venditn, por edhe nga Kosova.
Më i fundit që u provua zyrtarisht, është ai i vrasjes së Behar Sofisë, që ishte një i ri i punësuar si punëtor në Malin e Zi, por që ju premtuan 50 mijë euro për të shkrepur armën.
“Përherë e më shumë nga të dhënat operative, vërehet angazhimi i 25-30 vjeçarëve në vrasje me pagesë, janë të papunë ose të rinj që duan të bëjnë para shpejt, ajo duhet të jetë goditja kryesore dhe e vetme që duhet të bëjnë dhe më pas zhduken nga skena. Të pa skeduar dhe të panjohur në krim, ata pranojnë mundësinë për të marrë një dorë para dhe ky vendim sapo i ka futur në një tunel pa dritë”, – tha eksperti i sigurisë pranë Policisë së Shtetit që kërkoi të mos i publikohen të dhënat.
Për këtë hipotezë, eksperti solli si shembull për Gazetasi.al, veç Ernejt Shytit, të arrestuar për vrasjen e 66-vjeçarit Sofia, edhe arrestimin e Mikel Shallarit, që u prenotua si vrasës me pagesë nga Bledar Jambelli, i cili në karrierën e tij kriminale është i dyshuar si vrasës me pagesë i Amarildo Delajt.
Në atë kohë, 24 vjeç, Shallarit iu premtuan 10 mijë euro dhe për këtë pagesë, ai vrau kryekomisarin Artan Cuku në Tiranë, i cili dyshohet se gjatë detyrës si kryepolic në Vlorë, u konflikua me Jambellin, një kriminel që dyshohet për një seri ngjarjesh, por që drejtësia nuk ia doli ta sjellë në Shqipëri nga Greqia për ekzekutimin e paguar.
Megjithatë, vrasësi me pagesë që kreu marrëveshje me drejtësinë dhe foli për pagesat që iu dhanë për të kryer porosi, ishte Julian Sinanaj, i cili shpëtoi nga burgosja e përjetshme pikërisht sepse foli.
Si një emigrant i rritur në Pire dhe i kthyer në Shqipëri, por në pamundësi për të siguruar një punë, ai gjeti një shteg për të siguruar të ardhura. Midis tyre, më të bujshmet ishin krimet me telekomandë që tronditën Vlorën dhe opinionin publik.
Nën akuzë për gjashtë krime, mes tyre vendosje tritoli në banesën e Ardian Kollozit (ish-kreu i PD në Vlorë) dhe të lëndës plasëse në mjetin e Besnik Devishit, si dhe vrasjen e Sokol Veizit dhe Agron Çelës, vrasësi tregoi se në një rast, për porosinë nuk iu dhanë para, por ju dorëzua me klering një shtëpi.
Historia përsëritet, vrasësit gjenden lehtë
Zyrtarisht, mes rasteve të para në gjykatën e atëhershme të Krimeve të Rënda, përdorimi i vrasësve me pagesë u deklarua haptazi në gjyqin ndaj bandës së Durrësit. Adriatik Coli, një nga dëshmitarët më të mirë të drejtësisë, i cili ka përfunduar me kohë dënimin për shkak të marrëveshjes me drejtësinë, tregoi se si bisedat mes anëtareve të grupit për të eliminuar Lulzim Berishën në atë kohë, shkuan në oferta deri në 100 mijë euro.
Ishte viti 2005, kur bëheshin këto oferta dhe vrasësit me pagesë, pasi merrnin shtëpi me qira në Komunën e Parisit, që sapo kishte nisur të mbipopullohej, iu ofrua puna, pasi lidhën shoqëri dhe frekuentoheshin nëpër bare të ndryshme të Tiranës. Këtë dëshmi e konfirmoi më pas edhe njëri nga të akuzuarit si vrasës me pagesë në këtë mega-proces.
“Nuk më kujtohet si datë, por ishte periudha e njohjes me personat e mësipërm, kur unë kam shkuar tek shtëpia e Adriatik Colit, e cila ndodhej te rruga “Komuna e Parisit” në një pallat të ri nëntë katësh. Në banesë, kur kam shkuar, gjeta vetëm Adriatik Colin dhe në bisedë e sipër që kam bërë me të, ai më tha se duam të vrasim shtetasin Lulzim Berisha në Durrës, por ne nuk shkojmë dot se ai na njeh, prandaj do ta bësh këtë vrasje me pagesë? Unë jam menduar pak dhe i kam thënë që e bëj këtë vrasje. Në këtë kohë, Adriatiku më tha që pazari ishte 30.000 euro dhe unë për këtë kam rënë dakord. Adriatiku më tha nëse kisha nevojë për ndonjë person tjetër, unë i kam thënë se nuk kam nevojë, do ta bëj vetëm këtë punë”.
Gjetja e vrasësve me pagesë, u konfirmua në proces edhe për Elvin Hoxhosmanin dhe Alban Nelin.
“E njihte Endriti, se ishte me origjinë nga Kukësi, di që ishte i papunë. Bëmë muhabet për vrasësit. Altin Olloni tha se i gjej unë. Kështu që ramë dakord për pagesën 100 mije euro për të vrarë Lulzim Berishën. Dy ditë para të dyzetave të Klodian Saliut, merr në telefon Altin Olloni, Endrit Doklen dhe i thotë që personat që janë duke ardhur për në Durrës. Bëhet fjalë për Alban Nelin dhe Elvin Hoxhosmanin…
Më pas unë shkoj në shtëpi, marr patentën, shkoj tek një agjenci që është për shitblerje apartamentesh dhe me qira, e cila ndodhej në lagjen time. Aty gjeta një burrë rreth të 50-ave dhe një grua rreth të 40-ave, ishin të lagjes time. E pyes për shtëpi me qira. Pasi me tha se ku e do shtëpinë dhe unë i thashë se e dua përkrah muzeumit pak me andej ….. Vjen i zoti i shpisë tek agjencia dhe biem dakord. Pagesa u bë për gjashtë muaj. Po, bëmë kontratë, lashë kopje të patentës”, – dëshmoi asokohe i penduari i drejtësisë, Adriatik Coli.
Si të rekrutuar në këtë skemë me pagesë, u identifikuan edhe Osman Korpuzi, dhe Ahmet Ajeti, që sipas akuzës së asaj kohe, u paguan nga Dokle dhe u ndihmuan nga Coli dhe Sardjan Sulejmani për të shkuar në Durrës për të vrarë Berishën, por ata nuk mundën t’i afrohen, pasi u zbuluan dhe për këtë u përplasën me armë zjarri.
Në këtë ngjarje të regjistruar, sipas dosjes që Gazetasi.al disponon, në datën 30 gusht 2005, Ajeti u plagos, ndërkohë që të pandehurve iu gjet me vete fotografia e Lulzim Berishës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.