Drejtësia

Vranë vajzën për çështje nderi, Apeli lë në fuqi dënimin me 50 vite burg për babë e bir

Gazeta Si - Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi dënimin me 50 vite burg për babë e bir, Faik dhe Shkëlzen Buci, të cilët akuzohen për vrasjen e 23-vjeçares Eglantina Buci.

Të dy të pranishëm në seancë, babë e bir e pritën vendimin e dënimit me nga 25 vite burg në mënyrë të qetë, edhe pse i kanë mohuar vazhdimisht akuzat.

Eglantina Buci u ekzekutua nga vëllai i saj 10 vite më parë në malin e Dajtit në Tiranë. Familja nuk e pranonte faktin që vajza ishte larguar nga shtëpia dhe bashkëjetonte në zonën e Freskut.

Krimi makabër u zbulua nga një bashkëpunëtor i drejtësisë, shok i Shkëlzen Bucit, që kishte qenë i pranishëm në momentin kur vëllai vrau motrën.

Nga hetimet dhe dëshmia e të penduarit të drejtësisë, plani për vrasjen e të resë e ka thurur babai i saj, Faik Buci. Më pas, Shkëlzeni, vëllai i vajzës, e ka marrë në makinë pranë zonës së Freskut dhe janë drejtuar në Malin e Dajtit.

Pak metra para se të ndodhte vrasja, 23-vjeçarja i ka kërkuar ndihmë bashkëpunotërit të drejtësisë, i pranishëm në vendngjarje që ta shpëtonte nga i vëllai, por ai e qëlloi me një plumb në kokë.

Pas vrasjes, bashkëpunëtori i drejtësisë është kërcënuar me jetë nga Shkëlzen Buci, që të mos tregonte atë që kishte parë.

I penduari i arrestua në korrik të vitit 2017 me akuzën e bashkëpunëtorit dhe 6 muaj më pas, në janar të vitit 2018, ai tregoi vendin ku u vra Eglantina Buci nga vëllai në bashkëpunim me të atin. Për zbardhjen e kësaj ngjarje, ai mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë